Komuna e Gjilanit mbetet e vetmja në Kosovë që ende nuk ka arritur të miratojë buxhetin për vitin 2025 në Kuvendin Komunal.
Në një konferencë për media, nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina-Bunjaku, së bashku me drejtorin e Arsimit, Shpend Nuhiu, kanë nënvizuar rëndësinë urgjente të miratimit të këtij buxheti.
“Komuna jonë ka nevojë për zhvillim. U bëjmë thirrje të gjithëve që të lënë mënjanë inatet politike, sepse ky buxhet u përket qytetarëve. Ai është mjeti kryesor për financimin e projekteve dhe shërbimeve që janë jetike për komunitetin. Opozita ka pasur mundësi të japë kontributin e saj gjatë diskutimeve, por ka zgjedhur të bllokojë çdo përpjekje për avancimin e qytetit,” deklaroi Morina-Bunjaku.
Ajo paralajmëroi se mosmiratimi i buxhetit do të ketë pasoja të rënda, veçanërisht në sektorin e arsimit.
Drejtori i Arsimit, Shpend Nuhiu, theksoi se bllokimi nga opozita po pengon seriozisht funksionimin e Drejtorisë së Arsimit dhe realizimin e projekteve kyçe.
“Jemi të pamundësuar të nënshkruajmë kontratat për transportin e nxënësve dhe furnizimin me pelet, duke shkaktuar vështirësi të mëdha në organizimin e përgjithshëm,” tha Nuhiu.
Për shkak të këtij ngërçi politik ndërmjet opozitës dhe ekzekutivit, Komuna ka bërë thirrje për një seancë të jashtëzakonshme, ku do të diskutohet dhe synohet miratimi i buxhetit, për të tejkaluar situatën e krijuar. /Telegrafi/