Site icon Telegrafi

Ekuilibri makroekonomik – qëllim i politikës së brendshme dhe të jashtme në ekonominë e Kosovës

Në ekonomitë e tregut të lirë bartësit e politikave ekonomike duhet të jenë të motivuar me qëllimet dhe objektivat kryesore të politikave makroekonomike që janë ekuilibri i brendshëm dhe ai i jashtëm ekonomik i vendit. Për të kuptuar se ç´është ekuilibri makroekonomik në ekonominë e brendshme dhe të jashtme të një vendi, mund të definojmë thjesht se ekuilibri i brendshëm ekonomik nënkupton punësimin e plotë të resurseve nacionale dhe stabilitet të çmimeve vendore. Kurse, ekuilibri i jashtëm ekonomik i një vendi arrihet kur llogaria rrjedhëse (bilanci i pagesave) nuk ka deficit aq të madh që shteti mos të jetë në gjendje (në të ardhmen) ta paguajë borxhin e vet të jashtëm, por nuk ka as suficit aq të madh, që shtetet tjera të mos gjenden në situatë të tillë.

Në fakt, asnjëra nga këto definicione të sipërcekura nuk e përfshin diapazonin e plotë të problemeve të mundshme për politikën monetare. Është e nevojshme që për punësim të plotë dhe një stabilitet të përgjithshëm të çmimeve, bartësit e politikave ekonomike shtetërore, mund të përcaktojnë edhe shpërndarjen e caktuar të të ardhurave vendore si kusht i domosdoshëm shtesë.

Konsiderohet se shteti e ka arritur ekuilibrin e brendshëm makroekonomik nëse resurset e prodhimeve shtetërore janë të angazhuara plotësisht dhe nëse niveli i çmimeve të mallrave dhe shërbimeve në vend është stabil. Humbjet dhe vështirësitë janë të qarta nëse resurset janë të nënpunësuara.

Gjatë vitit 2009 ekonomia e vendit tonë ka treguar një stabilitet në raport me mjedisin makroekonomik në nivel global, e cila ekonomi (ekonomia botërore) ishte e ballafaquar me një tronditje financiare si pasojë e krizës dhe lëkundjeve negative në tregun financiar global, që ishte e hendikepuar nga mungesa e likuiditetit dhe shenjat e pakta të rimëkëmbjes ekonomike. Sidoqoftë, për shkak të realiteteve ekonomike që ekonomia e Kosovës kishte në sistemin financiar ndërkombëtar në raport me institucionet financiare globale, sepse nuk kishte shumë qasje në këto institucione në aspektin e kredidhënies apo kredimarrjes, atëherë natyrisht që edhe pasojat financiare globale në sistemin financiar vendor tek ne ishin më të buta. Prandaj, edhe vendi kishte një stabilitet të qëndrueshëm të brendshëm të politikës monetare, pikërisht duke u bazuar në këto „përparësi të mungesës së një afarizmi të fortë financiar me jashtë“.

Në ekonominë e Kosovës llogaritet se konsumi dhe investimet janë dy kontribuuesit kryesorë të rritjes ekonomike. Konsumi pothuajse vazhdon me të njëjtin trend të rritjes si edhe në periudhat paraprake buxhetore. Edhe investimet janë duke shënuar rritje të konsiderueshme në krahasim me vitet paraprake, bile në krahasim me shtetet e rajonit, investimet në ekonominë e Kosovës duket se janë më pozitive, mirëpo këto janë investime, kryesisht, kapitale të financuara nga buxheti qeveritar. Edhe këtë vit investimet qeveritare janë të fokusuara më tepër në infrastrukturën rrugore, energjetike, arsimore etj. Edhe pse investimet në këta sektorë nuk janë indikatorët e drejtpërdrejtë të rritjes ekonomike, dihet se këta sektorë janë “paradhomat e rritjes ekonomike“, ngase ato mundësojnë që investitorët (krahas infrastrukturës ligjore dhe ambientit të sigurt investues) të shohin perspektivën e rritjes së tyre biznesore.

Ajo që mendoj se investimet do të duhej të merrnin një krah të shtimit të tyre është një “ekuilibër“ më i favorshëm i politikës monetare, që do të thotë një politikë më e favorshme e politikës së shkallëve të interesit – kamatave nga huadhënësit (bankat komerciale). Ngase, shkallët e interesit që huazojnë bankat për investime janë më të lartat në rajon (sillen diku afër 12% në mesatare), kurse shkallët e interesit në depozita të ofruara nga bankat sillen në një mesatare prej 3 – 4 %. Pra, një diferencë mjaft e dukshme në raportin e huamarrjes dhe huadhënies kreditore, e cila pothuajse është e “dakorduar“ midis bankave. Në këtë aspekt, kujtoj se qeveria duhet të shtoj numrin e bankave konkurruese komerciale, apo themelimin e një banke me kapital financiar shtetëror (të përdoren mjetet nga trusti pensional i kursimeve dhe nga shitja e ndërmarrjeve publike dhe shtetërore, kuptohet se duhet bërë presion për angazhimin e tyre në këto objektiva), me ç´rast do të krijohej një klimë edhe më e favorshme investuese, që do të ishte funksion të stabilitetit brendshëm makroekonomik.

Në këndvështrimin e një stabiliteti të qëndrueshëm makroekonomik të jashtëm, ekonomia e vendit tonë do të duhej shkuar drejt thellimit edhe më të shpejt të reformave, ngase ekulibri makroekonomik në bilancin me jashtë është shumë disfavorizues. Sepse, deficitet tregtare me jashtë janë dukshëm pasojë e rënies së eksporteve dhe shtimit të importeve. Kjo paraqet një pengesë në përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe një shqetësim të vazhdueshëm makroekonomik në ekonominë me jashtë. Prandaj, është më se e domosdoshme që institucionet qeveritare të bëjnë çmos për stimulimin e eksporteve, në heqjen e pengesave politike me Serbinë dhe BH, të cilat në kuadër të bashkëpunimit ekonomik me vendet e CEFTA-s kanë bllokuar bizneset tona vendore, dhe se institucionet e vendit ende nuk kanë bërë as edhe më të voglin hap për eliminimin e kësaj „barriere politike“. Dhe, e gjithë kjo jo vetëm që shkon në disfavor të bilancit ekonomik me jashtë, duke reduktuar fuqinë eksportuese dhe forcuar importet, por ndikon drejtpërdrejt edhe në demotivimin e bizneseve vendore ndaj qëndrimit institucional, me ç´rast mund të ballafaqohemi edhe me „shpërngulje“ të bizneseve në vendet e treta. Sidomos kemi tendencat e kalimit të disa bizneseve vendore drejt Maqedonisë, ku klima investive atje është shumë më e favorshme, jo vetëm krahasuar me vendin tonë, por edhe me rajonin në tërësi ( të dhënat e fundit të “Doing business“ dëshmojnë se Maqedonia tash është e radhitur në vendin e tretë në botë për reforma thelbësore në afarizëm, dhe se klima e saj investuese është ngritur për 37 pozita në përmirësimin e klimës për biznese, kurse në Kosovë sipas këtyre të dhënave kemi rënie, gjë që është shqetësuese). Prandaj, kujtoj se kjo duhet të shikohet si një vërejtje serioze për ruajtjen e klimës biznesore të vendit, por edhe se duhet marrë si shembull „kopjues pozitiv“ ekonominë maqedonase në përmirësimin e klimës për reforma biznesore tek ne, me ç’rast edhe do të shërbente si katalizator në përmirësimin e bilancit me jashtë dhe rirregullimin e ekuilibrit makroekonomik ekstern të Kosovës.

 

Exit mobile version