Galeria e Artit “Rada” në Prizren i ka hapur sërish dyert për artdashësit. Në këtë hapësirë alternative janë ekspozuar punimet e piktores Feriha Rada, nga cikli “Valët e jetës”, e cila rikthehet për të shpalosur peripecitë e saja jetësore në mënyrë artistike.
Ekspozita personale e piktores së dalluar është hapur pa shumë bujë. Por meriton të vizitohet shkaku i artit të veçantë të piktores prizrenase, por edhe historisë së vet galerisë.
“Galeria e Artit “Rada” për disa vite ka pasur pushim. Tani është hapur me ekspozitën time personale”, thotë Rada.
Sipas saj në këtë ekspozitë janë paraqitur punimet e realizuara në dy vitet e shkuara.
“Punimet në këtë ekspozitë janë prej ciklit “Valët e jetës”. Këto vepra janë punuar gjatë dy viteve të fundit. Këto janë një pjesë e atyre punimeve. Kam dhe punime tjera, por hapësira këtu ka qenë e kufizuar”, deklaron Rada, për Telegrafin.
Në të njëjtën kohë sqaron se cikli disi tregon rrëfimin e saj jetësor.
“Frymëzimi për këto punime vjen prej jetës time. Kështu e kam kaluar jetën dhe deshta disi ta sqaroj jetën time përmes artit. Për këtë arsye edhe është titulluar “Valët e jetës”, sepse gjatë jetës kam pas shumë rënie e ngritje. Prandaj edhe i kam punuar këto punime”, sqaron Rada.
Ngjyra e kaltër dominon në pikturat e realizuara me teknikën vaj në pëlhurë, për të sjellë qetësinë shpirtërore.
“Jam përcaktuar për këtë ngjyrë sepse vetëm kjo ngjyrë me qetëson. Edhe meqë po e qetëson shpirtin tim, po besoj që këtë efekt e ka edhe të tjerët, sepse e di që jo vetëm unë por e tërë Kosova ka pasur një jetë të çrregullt. Dhe meqë kjo ngjyrë me të vërtetë po ma qetëson shpirtin krejt ciklin e kam punuar me të”, rrëfen Rada për Telegrafin.
Sipas saj ky cikël është goxha i pasur me punime.
“Kam punuar më tepër se 60 punime e ndër to janë triptikat, diptikat, fortikat dhe mund të them që kam përdor mbi 100 korniza për ta paraqitur këtë cikël si duhet”, thotë ajo, teksa pret që artdashësit ta vizitojnë ekspozitën personale dhe galerinë që ndodhet afër Shtëpisë së Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren.
Feriha Rada u lind në Prizren në vitin 1955. Ka diplomuar në Akademinë e Arteve në Prishtinë në degën e pikturës, derisa specializimin e ka përfunduar në Paris në Universitetin e Sorbonnes “L’Ecole du Louvre” për pikturë dhe muzeologji. Tutje ka punuar si piktore dhe mbikëqyrëse kuratore në Muzeun dhe Galerinë e Lidhjes së Prizrenit.
Si profesioniste ka qenë e angazhuar edhe në konservimin dhe restaurimin e afreskeve në Kishën e Shën Premtes dhe në Xhaminë e Sinan Pashës.
Ajo punon pikturë, vizatim të lirë, grafikë, skulpturë, tapiceri, vitrazh.
Në vitin 1995, Feriha Rada hapi Galerinë e Artit “Rada” në Prizren, e cila ishte galeri e artit privat në Kosovë, në një kohë kur skena dhe institucionet kulturore të shqiptarëve ishin nën kontroll dhe shtypje nga regjimi serb, raporton Telegrafi.
Kjo galeri u bë platformë ku artistët shqiptarë mund të ekspozonin dhe promovonin veprat e tyre artistike. Ndërmjet viteve 1995 dhe 1997 në këtë galeri u hapën më shumë se 30 ekspozita kolektive dhe personale.
Në vitin 1999 forcat serbe depërtojnë në galeri, duke e dëmtuar atë, por edhe duke vjedhur koleksionin e pasur të artit, përfshirë qindra piktura, tapiceri, skulptura, relieve, qeramikë, grafika, etj. Fati i këtij koleksioni të vjedhur nuk dihet ende sot e kësaj dite. /Telegrafi/