Telegrafi

Ekspozita “Frymo Lirshëm” shfaqet në Mitrovicë, prezantohen punime të personave me aftësi të kufizuara

Pamje nga punimet që u shfaqen në ekspozitën "Frymo Lirshëm"

Gjatë ditës së djeshme është shfaqur ekspozita “Frymo Lirshëm” në kuadër të kampanjës “Frymo Lirshëm”. Kjo ekspozitë u shfaq në hapësirat e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.

Udhëheqësi i kampanjës “Frymo Lirshëm”, Mehmet Salihu, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se kjo kampanjë ka filluar në muajin shtator, i cili njëkohësisht njihet edhe si muaj vetëdijësues për parandalimin e vetëvrasjeve.

Salihu ka thënë se nga kjo kampanjë kanë përfituar shumë qytetarë me anë të sesioneve informuese, fushatave vetëdijësuese dhe konferencave, shkruan Telegrafi.

“Këtë e kemi vazhduar edhe sivjet me një sërë aktivitetesh, tashmë kemi filluar me ekspozitën, krejt në fund do të prezantohet një video e kampanjës ‘Frymo Lirshëm’ dhe pastaj konferenca dy ditore”, ka thënë Salihu.

Ai ka thënë tutje se qëllimi i kësaj ekspozite është që të ngrihet zëri deri tek niveli qendror dhe siç është shprehur Salihu, të fillojë nisma e përpilimit të një strategjie kombëtare për parandalimin e vetëvrasjeve.

Udhëheqësi i kampanjës “Frymo Lirshëm” ka treguar se programi “Reload” i UNDP-së ka qenë mbështetës në realizimin e kësaj ekspozite.

“Në realizimin e ekspozitës na ka mbështetur edhe program ‘Reload’  UNDP-së. Ndërsa, aktivitetet janë realizuar nën umbrellën e organizatës ‘Së bashku’ në Mitrovicë”, ka shtuar Salihu.

Salihu ka bërë të ditur se është hera e parë që është realizuar ekspozita “Frymo Lirshëm” dhe se sipas tij, e veçanta në këtë ekspozitë qendron tek fakti se të gjitha punimet janë realizuar nga personat me aftësi të kufizuara.

“Këto punime karakterizojnë jetën, shumica e punimeve e kanë simbol diellin, ku tek ta dielli simbolizon shpresën”, ka shtuar ai.

Më tej, ai ka bërë të ditur se nga fundi i muajit shtator do t’i zhvillojnë sesionet informuese në shkollat e mesme të Mitrovicës. Sipas tij, duke filluar nga dhjetori i këtij viti këto aktivitete do të zgjerohen edhe në 27 komuna tjera të vendit. /Telegrafi/