Site icon Telegrafi

Ekspozita e 10-vjetorit të Autostrada Biennale pret publikun në Autostrada Hangar I

Autostrada Biennale i ka bërë thirrje të gjithë të interesuarve që ta vizitojnë Ekspozitën e 10-vjetorit të kësaj organizate kulturore të hapur në Autostrada Hangar I, që ndodhet në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren.

Sipas njoftimit në këtë ekspozitë krahas dhjetëvjeçarit të parë të Autostrada Biennales, paraqiten edhe katër edicionet e shkuara të Biennales dhe nismat e fundit për zgjerimin e hapësirave kreative, raporton Telegrafi.

“E dizajnuar dhe prodhuar nga ekipi ynë, ekspozita tregon rrugëtimin tonë gjatë dekadës së kaluar, duke i paraqitur katër edicionet e Bienales dhe zhvillimin e Autostrada Hangar I & Hangar II, Teatrin e Hapur dhe Hapësirën tonë të Rezidencës për Artistë”, thuhet në njoftimin e Autostrada Biennales.

Tutje sqarohet se “ekspozita prezanton se si këto hapësira kanë bashkuar njerëzit, kanë zhvilluar komunitetin dhe kanë frymëzuar bashkëpunime përmes artit”.

“Është një mundësi për të reflektuar mbi rrugëtimin tonë dhe për të parë se si këto projekte kanë ndikuar në komunitetin tonë.  Si pjesë e ekspozitës ju mund ta shihni edhe maketën e ndërtesave të Qendrës për Art Bashkëkohor realizuar nga Alper Bicaklioglu”, thuhet në njoftim.

Drejtorët themelues të Autostrada Biennale, Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço kanë vlerësuar se tani Qendra për Art Bashkëkohor ofron hapësirë më të madhe krijuese, raporton Telegrafi.

“Falë këtyre vendeve të reja, ne do të kemi një hapësirë ​​më të madhe krijuese fizike dhe mendore për vizionin tonë të ardhshëm dhe programet gjithëpërfshirëse, duke e bërë Autostrada Biennalen një qendër që vazhdon të frymëzojë, krijojë dhe promovojë artin dhe kulturën me një qasje inovative”, thuhet në deklaratën e shkruar të tyre.

Ekspozita sipas njoftimit mund të vizitohet në Autostrada Hangar I, nga e hëna në të premten, nga ora 10:00 deri në 17:00. /Telegrafi/

Exit mobile version