Site icon Telegrafi

Ekspozita “Dubo: Lidhja e Padukshme” sjellë kujtimet e pashlyeshme të trashëgimisë rome

Ekspozita me fotografi e titulluar “Dubo: Lidhja e Padukshme” që për synim ka kultivimin e memories kolektive dhe mbrojtjen e trashëgiminë kulturore rome do të hapet të premten mbrëma në Kino Lumbardhi.

“Në zemrën e Terzimahallës, aty ku emocionet rrjedhin si ujë dhe lidhin çdo gjeneratë me kujtime të pashlyeshme, ju ftojmë të përjetoni këtë histori përmes fotografive që sjellin në jetë ritmin, zakonet dhe emocionet e një bote unike”, thuhet në njoftim, teksa sqarohet se ky projekt synon të kultivojë memorien kolektive dhe të mbrojë trashëgiminë kulturore rome, duke nxjerrë në pah pasurinë shpirtërore dhe kulturore që përçohet brez pas brezi.

“Me dashuri dhe përkushtim ndaj rrënjëve tona, synojmë të ruajmë dhe të përcjellim vlerat, zakonet dhe ritmet që formësojnë identitetin tonë. Lërini këto histori të flasin dhe të krijojnë një lidhje të padukshme me shpirtin Rom”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Ekspozita hapet më 8 nëntor në ora 19:00, dhe do të jetë e hapur për publikun për dy ditë.

Fotografitë që do të paraqiten sjellin në pah një udhëtim përmes kujtimeve kolektive të komunitetit rom, duke e lidhur të kaluarën me të tashmen përmes imazheve që pasqyrojnë ritmet, zakonet dhe emocionet e tyre, raporton Telegrafi.

“Me këtë projekt synohet ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore rome, duke kultivuar memorien e përbashkët dhe identitetin shpirtëror të komunitetit. Çdo fotografi tregon një histori, krijon një urë mes brezave dhe mbart me vete një thirrje për të ruajtur rrënjët tona të përbashkëta”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Projekti në fjalë është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërkohë që është realizuar nga Gynesh Veshall dhe Esad Duraki. /Telegrafi/

Exit mobile version