Site icon Telegrafi

Eksperti i OSHP-së konfirmon shkeljet: Duhet të anulohet tenderi 15 milionësh i stadiumit të Gjilanit, fitoi kompania më e shtrenjtë

Eksperti i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Faruk Rexhaj, ka rekomanduar që të anulohet plotësisht tenderi për renovimin e stadiumit të Gjilanit, i cili kishte vlerën prej 15 milionë euro.

“Demiri Gartenbau”, “Avag Group SH.P.K”, “El-Bau Sh.P.K”, “Bujar Shabani B.I” “Kosova Asfalt” dhe “Teuta-M”, janë grupi i operatorëve ekonomikë që kishin dhënë ofertën më të shtrenjtë për renovimin e stadiumit, por që u përzgjodhën nga Komuna e Gjilanit.

Por me rekomandimin e fundit të OSHP, ky tender pritet të ritenderohet, pasi oferta fituese ka vlerën e mbi 1.7 milion eurove më të lartë se sa operatori “Euro Construction”, i cili ishte ankuar.

“Euro Construction”, u ankua se ishte eliminimi ‘paushall’ dhe me 16 qershor ky grup që njëherit ishin ofertuesi më i lirë, kanë parashtruar ankesën e tyre kundër njoftimit për dhënie te kontratës lidhur me aktivitetin e prokurimit: Renovimi i Stadiumit të Qytetit të Gjilanit me numër të prokurimit 651-23-13546-5-1-1, të iniciuar nga Autoriteti Kontraktues, Komuna e Gjilanit.

OSHP ka rekomanduar të “anulohet njoftimi mbi vendimin e Autoritetit Kontraktues i datës 31.05.2024, njoftim për dhënie të kontratës”.

Telegrafi ka siguruar dokumentin ku operatori ka parashtruar të gjitha ankesat e tyre dhe aprovimin e AK-së.

Stadiumi i Gjilani ka shkuar në rinovim të tërësishëm më vitin 2022, kur klubet e Dritës dhe Gjilanit, u larguan nga aty.

Premtime për stadiumin e ri e kishte dhënë kryetari i Gjilanit nga Vetevëndosje, Alban Hyseni, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në krye me Hajrullah Çekun.

Ministri Çeku kishte deklaruar se janë ndarë 15 milionë euro për renovimin e stadiumit./Telegrafi//

 

Exit mobile version