Mirlind Kryeziu është njëri nga talentet më të mëdhenj shqiptar në Evropë.
Mbrojtësi i talentuar nga Kosova ka shkëlqyer në ndeshjet e fundit në kampionatin zviceran me Zurichun.
Në nëntë ndeshje sa ka luajtur me fanellën bardh e kaltër Kryeziu, Zurichu asnjëherë nuk ka humbur.
E falë formës fantastike të treguar këtë edicion, Kryeziu mund të largohet nga Zurichu gjatë afatit kalimtar të verës.
Burime të Telegrafit të afërta me lojtarin kanë konfirmuar ekskluzivisht se sapo ka ardhur një ofertë nga gjiganti kroat Dinamo e Zagrebit.
Kampioni i shumëfishtë i Kroacisë, ka ofruar te Zurichu një milionë euro për ta transferuar në Zagreb mbrojtësin gjigant.
“Sapo ka ardhur një ofertë nga Dinamo e Zagrebit për ta transferuar Mirlindin për një milionë euro”, ka thënë një burim për Telegrafin.
Telegrafi ka kontaktuar edhe lojtarin nëse do t’i bashkohet Dinamos ose jo.
“Unë aktualisht jam pjesë e Zurichut dhe jam i lumtur këtu. Kam luajtur shumë mirë dhe shpresoj që të vazhdoj me këtë ritëm edhe në edicionin e ri. Gjithmonë ka fjalë për klubet që më duan por aktualisht nuk po flas me emra edhe pse ka disa oferta”, tha Kryeziu për Telegrafin.
Qendërmbrojtësi nga Kosova ka një kontratë me Zurichun deri më 30 qershor të vitit 2021.
Kujtojmë që Mirlindi është edhe pjesë e Përfaqësueses së Zvicrës ku ka luajtur nga U16 deri më tani ku është pjesë e U21. /Telegrafi/