Site icon Telegrafi

U detyrua të largohej nga Kiev dhe nuk paguhej më, ekipi FPX i ka kërkuar falje lojtarit të tyre ukrainas ANGE1

Organizata e eSports me bazë në Kinë, FunPlus Phoenix i ka kërkuar falje lojtarit të VALORANT, Kirill “ANGE1” Karasiow, dhe agjentit të tij, Jerome Coupez, pas vendimit të fundit që ekipi kishte marrë që mos ta paguaj lojtarin ukrainas.

ANGE1, i cili jetonte në Kiev, u detyrua të largohej nga kryeqyteti ukrainas pak ditë më parë pas breshërisë së sulmeve nga ushtria ruse në Ukrainë.

Në pamundësi të ukrainasit që të luaj për ekipin e tij FunPlus Phoenix, ekipi kishte marrë një vendim që mos të vazhdojë ta paguaj lojtarin nga mesi i muajit mars.

Ky vendim nuk ishte pritur aspak mirë nga agjenti i lojtarit ANGE1, Jerome Coupez, i cili e kishte shprehur mllefin e tij nëpërmjet postimeve ne Twitter.

Por, siç duket pas bisedimeve me stafin e ekipit FPX, palët kanë arritur një marrëveshje, ku stafi i ekipit FPX i ka kërkuar falje lojtarit dhe agjentit duke thënë se do të vazhdojnë ta paguajnë ANGE1 pa i kërkuar që të luajë për ekipin.

“Situata është zgjidhur dhe FPX do të paguajë pagën e plotë të lojtarit për aq kohë sa të jetë e nevojshme, pa kërkuar që ai të luajë”.

“Në fund, jam shumë emocional, por jam mirënjohës që FPX e kuptoi peshën e situatës dhe mori vendimin e duhur”, shkroi Coupez në Twitter.

Ndërkaq, ekipi i FPX në mungesë të ANGE1 do të përballet nesër (e shtunë) kundër Team Liquid dhe më 13 mars ndaj LDN UTD në turneun VALORANT Champions EMEA Stage One Challengers. /Telegrafi/

Exit mobile version