Ekipet e mirëmbajtjes të kontraktuara nga Ministria e Infrastrukurës po vijojnë punimet për largimin e dheut të shembur në autostradën “Ibrahim Rugova”, në segmentin e 27-të, në mes të Prizrenit dhe Suharekës.
Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, qarkullimi në njërin drejtim të këtij segmenti të autostradës është mbyllur të mërkurën në mëngjes pas orës 3:00.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Departamentit të Rrugëve pranë Ministrisë së Infrastrukturës, Qamil Feka për Televizionin e Prizrenit ka deklaruar se punimet për largimin e dheut kanë filluar nga mëngjesi.
Sipas tij, qytetarët nga Prizreni duhet të shfrytëzojnë rrugët alternative për tu kyçur më pastaj në autostradë në Suharekë.
Ministria e Infrastrukturës, më herët gjatë ditës, ka njoftuar se “me qëllim të lëvizjes së sigurt të qytetarëve në këtë segment kjo pjesë është bllokuar për qarkullimin e automjeteve deri në pastrimin e dheut të shembur”.
MI ka bërë të ditur se qytetarët do të njoftohen me kohë lidhur me pastrimin e dheut të shembur në këtë pjesë të autostradës. /Telegrafi/