Xhiroja e 10-të në Superligën e Maqedonisë së Veriut e zhvilluar në fundjavën që lamë pas rezultoi të jetë e mirë për Shkëndijën, Struga Trim Lum, Gostivarin dhe Voska Sport që regjistruan fitore, ndërsa vetëm Shkupi u ndal me barazim.
Mirëpo kjo nuk ka ndikuar në renditjen tabelare, ku tre ekipet shqiptare Shkëndija, Shkupi dhe Struga kanë “bllokuar” tre vendet e para të elitës.
Pas triumfit kundër Vardarit, skuadra e Shkëndijës vazhdon kryesimin në ligën më të fortë të futbollit të Maqedonisë me 23 pikë të grumbulluara, duke lënë pas vetes Shkupin me 19 pikë dhe Strugën me 18 pikë.
Pas tre ekipeve shqiptare, renditet Sileksi që ka në konto 16 pikë, përderisa pas tyre vjen Brera Strumica dhe Tikveshi me nga 14 pikë. Pozita shtatë dhe tetë mbahen nga Rabotniçki dhe Bregallnica, që të dyja me nga 13 pikë të tubuara deri më tani, ndërsa në katër vendet e fundit janë Makedonija Gjorçe Petrov (11 pikë), Voska Sport (10 pikë), Gostivari (10 pikë) dhe Vardari (5 pikë).
Superliga e Maqedonisë shkon në pauzë për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare të ekipeve përfaqësuese dhe rikthehet me 22 tetor. /Telegrafi/