Telegrafi

Ejupi: Prishtina ka një barrë të madhe, por do ta përfaqësojë denjësisht futbollin e Kosovës

Të enjten mbrëma në Suedi, FC Prishtina do të luajë kundër IFK Norrkoping, në kuadër të rrethit të parë kualifikues për Europa League.

Krerët e kryeqytetasve, të martën në një takime me media, e kanë vlerësuar të vështirë sfidën me klubin suedez, megjithatë, bardhekaltrit premtojnë se do të japin më të mirën në këtë duel.

Kryetari Remzi Ejupi ka thënë se janë bërë gjitha përgatitjet e duhura për sfidën kundër Norrkopingut.

Lexo po ashtu FC Prishtina debuton në Evropë, fton tifozët e saj në Evropë me një video emocionuese (Video)

Ai ka deklaruar se skuadra suedeze është tejet e fortë, por ai beson se Prishtina do të ketë prezantim të mirë në tokën suedeze.

“Mendoj se Prishtinës i ka ra një barrë jashtëzakonisht e madhe, ku ka marrë një përgjegjësi të madhe e cila do të përfaqësojë jo vetëm Prishtinën, por natyrisht edhe klubet dhe futbollin kosovar, ku mendojmë të arrijmë maksimumin jo vetëm ne, por edhe klubi tjetër Trepça ’89, dhe një prej arsyeve është se suksesi ynë do të ndikojë që klubet tona në vitet në vijmë të arrijnë sa më shumë, ku ‘lufta’ është të kuotizohemi sa më lartë që në vitet në vijmë të jetë edhe ekipi i tretë dhe i katërti më radhë.

“Kështu që më ato kapacitete që i kemi, kemi punuar deri që të vijmë, të arrijmë pamarre parasysh se është një kundërshtar i vështirë, mendoj se kemi bërë gjitha punët që ne të prezantohemi sa më mirë”, ka theksuar Ejupi. /Telegrafi/