Të gjithë e dimë se ushtrimet fizike janë esenciale për një shëndet të mirë fizik e mendor. Por, ka shumë njerëz që ushtrimet fizike nuk i shohin vetëm si ‘obligim’ ditor ndaj trupit të tyre, por i bëjnë për shkak të pasionit që kanë ndaj këtij sporti.
Në mesin e këtyre njerëzve është edhe Egzon Shkololli, i cili e praktikon një disiplinë tjetër të ushtrimeve nga ajo çfarë jemi mësuar të shohim zakonisht, shkruan Telegrafi.
Egzon Shkololli, 29 vjeçar nga Peja i cili ka studiuar shkencat sportive, është ndër të parët në Kosovë që merret me CrossFit.
CrossFit është disiplinë e fitnesit me intensitet të lartë që i inkorporon elementet e sporteve të ndryshme dhe llojet e ndryshme të ushtrimeve fizike.
___________________________________________
“Mendoja se isha i fortë, derisa provova të ushtroj CrossFit” – thënia e zakonshme e atyre që e provojnë për herë të parë këtë disiplinë.
___________________________________________
Egzoni tregon për Telegrafin se me këtë sport merret me vite të tëra, ndërkaq shpjegon se është diçka me të cilin adaptohet çdo njeri dhe shpërblimi është i madh.
“Me CrossFit jam i lidhur shumë dhe i shpenzoj 12 orë në ditë duke u stërvitur me klientë të ndryshëm. Është formë mjaft e vështirë e ushtrimeve fizike, por për çdo njeri që merret me këtë sport suksesi është i garantuar”, thotë ai.
Për Egzonin, asgjë tjetër nuk ka më shumë rëndësi sesa ky sport, dhe këtë e dëshmon edhe fakti që ai gjatë tërë ditës e javës merret vetëm me CrossFit në qendrën ‘CrossFit Kosova’.
“Këshilla ime është që të gjithë të fillojnë ta praktikojnë këtë sport, sepse edhe në të gjitha vendete botës ka filluar të përhapet me ritëm të shpejt, dhe është një sport atraktiv ku çdo ditë të pret një sfidë e re. Pra, thënë shkurt, ky nuk është një sport pasiv”.
Për Egzonin, puna e trajnerit sjell kënaqësi të madhe. Ndërsa ai si trajner ka ushtruar shumë yje me famë botërore, blogere, sportistë që tani janë kampionë, etj. /Telegrafi/