Telegrafi

Edicioni i tretë i Shkollës Verore Ndërkombëtare në Prizren tubon 200 pjesëmarrës nga 45 shtete

Edicioni i tretë i Shkollës Verore Ndërkombëtare që organizohet në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren në bashkëpunim me DokuFestin, Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është hapur me pjesëmarrjen e mysafirëve vendorë e ndërkombëtarë.

Në këtë shkollë që mbahet deri më 9 gusht 2024 dhe ku marrin pjesë studentë nga 45 vende të ndryshme të botës synohet ofrimi i mundësive të vyera arsimore për pjesëmarrësit, raporton Telegrafi.

“Shkolla Verore do të përfshijë kurse intensive, punëtori dhe aktivitete të tjera të udhëhequra nga profesorë nga vende të ndryshme të botës, si: SHBA, Poloni, Angli, Indi, Bullgari e Hungari. Numri i studentëve që janë pranuar në këtë edicion është 200 pjesëmarrës”, thuhet në njoftimin e Universitetit “Ukshin Hoti”.

Krahas përmirësimit të njohurive të studentëve, në këtë organizim synohet edhe promovimi i vlerave dhe kulturës vendore.

“Qëllimi i organizimit të ShVN është të përmirësojë aftësitë dhe njohuritë e pjesëmarrësve, duke kontribuar në zhvillimin e tyre akademik dhe profesional. Organizimi i Shkollës Verore Ndërkombëtare, përkon me objektivat strategjike të Universitetit për ndërkombëtarizim dhe njëkohësisht për promovimin e vlerave dhe kulturës së vendit tonë dhe krijimin e mundësive për shkëmbim të përvojave mes të rinjve”, thuhet në njoftim, duke shtuar se në këtë edicion janë përcaktuar 6 module për secilin njësi akademike të Universitetit, teksa do të organizohen edhe aktivitete ekstra kurrikulare me përfaqësues të ndryshëm nga sektori publik dhe privat.

Në ceremoninë e hapjes kanë marrë pjesë drejtuesit e Universitetit, përfaqësues të DokuFestit e ITP-së, por edhe zyrtarë të lartë të qeverisë qendrore dhe të pushtetit lokal, dhe mysafirë të tjerë, raporton Telegrafi.

Rektori i Univeristetit “Ukshin Hoti”, Mentor Alishani ka vlerësuar se pjesëmarrësit e Shkollës Verore do të kenë mundësi që të ndjekin ligjërata nga profesorë të shquar në fushat përkatëse nga vende të ndryshme të botës.

Sipas njoftimit të MASHT-it, ministrja Arbërie Nagavci ka theksuar se ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë është një ndër prioritetet e Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit, për të garantuar që studentët të ecin në hap me moshatarët e tyre nga e gjithë bota. Nagavci po ashtu ka bërë të ditur se, njësitë akademike që janë pjesë e moduleve të kësaj shkolle, vijnë nga fusha tejet të rëndësishme të edukimit dhe tregut të punës, por njëkohësisht ato janë përzgjedhur duke pasur parasysh drejtimet, të cilat u shërbejnë nevojave dhe kërkesave të kohës.

Ndërsa zëvendëskryeministrja dhe ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla, ka përgëzuar Universitetin e Prizrenit për këtë organizim tradicional, i cili mbledhë të rinj nga vende të ndryshme, duke ju ofruar mundësinë që të njohin më mirë këtë qytet dhe të krijojnë raporte bashkëpunimi mes vete. /Telegrafi/