Karnavali Golden Eagle që sipas organizatorëve është një festë që mbledh grupe nga shtete të ndryshme për të shfaqur traditat me kostume, muzikë e valle, edicionin e radhës në qytetin e Suharekës do ta zhvillojë më 28, 29 dhe 30 qershor.
Sikurse edhe më parë, në saje të Karnavalit Golden Eagle, qyteti i Suharekës do të presë kultura e artistë të ndryshëm, përfshirë performues karnavalesh nga vende të ndryshme të botës.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj përmes një videoje nga takimi me akterë të ndryshëm ka njoftuar se përgatitjet për këtë organizim po vazhdojnë, raporton Telegrafi.
Ndërsa Fisnik Kryeziu nga Golden Eagle ka njoftuar se për dallim prej vitit të shkuar, këtë vit ky organizim do të jetë i shtrirë me aktivitete në tri ditë. “Këtë vit do të marrin pjesë grupe të ndryshme nga Portugalia, Gjermania, Spanja, do të ketë nga Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria, si dhe grupet e tjera nga Kosova. Në këtë vit, në Karnaval do të jenë rreth 420 pjesëmarrës nga vende të ndryshme”, ka thënë Kryeziu.
Karnavali Golden Eagle në rrjetet sociale ka paralajmëruar se në edicionin e pestë do të performojnë edhe yjet e muzikës nga Kosova dhe Shqipëria.