Këtë verë Prishtina po përgatitet të ketë një shpërthim kreativiteti dhe ngjyrash me edicionin e 8-të të Festivalit Ndërkombëtar të Artit të Rrugës, ‘Meeting of Styles Kosovo’, që do të mbahet nga 28-30 qershor 2024, në lagjen Dragodan.
Festivali premton të ndërthurë shprehjen artistike me iniciativat edukative, duke transformuar zonën në një galeri të hapur dhe plot jetë, me temën e këtij viti, “Educate to Elevate”, transmeton Telegrafi.
“Educate to Elevate” synon të theksojë fuqinë e artit të rrugës si një mjet për edukim dhe ndryshim shoqëror. Festivali do të shfaqë vepra arti që trajtojnë tema të ndryshme edukative, duke synuar të inspirojë dhe ngrisë ndërgjegjësimin dhe vlerësimin e komunitetit për artin dhe edukimin” thuhet në njoftimin e Qendrës për Zhvillimin e Arteve.
Festivali do të ofrojë laramani performancash të cilat premtojnë atmosferë.
“Përveç muraleve mbresëlënëse dhe instalacioneve të artit të rrugës, festivali do të organizojë një bazar urban, duke ofruar shumëllojshmëri produktesh nga pjesëmarrës lokalë dhe më gjerë. Edhe netët muzikore do të përmbajnë përformnca nga muzikantë vendas dhe ndërkombëtarë, duke krijuar një atmosferë të gjallë që feston ndërthurjen e artit dhe kulturës” thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit aktivitetet e edicionit të 8-të që do të zhvillohen brenda kornizës së Meeting of Styles Kosovo 2024 janë:
Festivali Ndërkombëtar Meeting of Styles Kosovo, “Eduko për të Ngritur”, Punëtoria “Q’art Academy”, Prishtina “Graffiti Shoëdoën”, Bazar Tuneli, Arti Urban i Ricikluar, Prishtina Street Soundbooth, transmeton Telegrafi.
Facebook : https://www.facebook.com/
‘Meeting of Styles Kosovo’ ka treguar vazhdimisht Prishtinën si një qendër të artit te rrugës, duke tërhequr vëmendjen për pasurinë kulturore dhe talentin artistik të qytetit.
Ndër tjerash festivali do të jetë i hapur tërë ditën për të gjithë, nga ora 10:00 çdo ditë nga data 28-30 qershor, duke ofruar një eksperiencë të paharrueshme për të gjitha moshat./ Telegrafi/