Site icon Telegrafi

Edhe pse SHBA-të kanë marrëveshje me talebanët, NATO nuk do të largohet nga Afganistani

Trupat ndërkombëtare planifikojnë të qëndrojnë në Afganistan përtej afatit të muajit maj të parashikuar nga marrëveshja mes talibanëve dhe Shteteve të Bashkuara, thanë katër zyrtarë të lartë të NATO-s.

Ky është një veprim që mund të përshkallëzojë tensionet me talibanët që kërkojnë tërheqjen e plotë të amerikanëve.

“Nuk do të ketë tërheqje të plotë nga aleatët deri në fund të prillit”, pohoi për Reuters një nga zyrtarët e aleancës.

“Kushtet nuk janë përmbushur”, tha në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. “Dhe me administratën e re të SHBA-së, do të ketë ndryshime në politikë, sensi i tërheqjes së nxituar që ishte i përhapur do të adresohet dhe ne mund të shohim një strategji shumë më të llogaritur të daljes”, shtoi ai.

Administrata e presidentit të atëhershëm, Donald Trump nënshkroi një marrëveshje me talibanët në fillim të vitit të kaluar duke kërkuar tërheqjen e të gjithë trupave të huaj deri në maj, ku kryengritësit do të përmbushnin disa garanci të sigurisë.

Trump e përshëndeti marrëveshjen – e cila nuk përfshinte qeverinë afgane – si fundin e dy dekadave të luftës. Ai zvogëloi trupat amerikane në 2,500 brenda këtij muaji, më pak nga viti 2001. /Telegrafi/

Exit mobile version