Izraeli dhe Libani kanë miratuar zyrtarisht një marrëveshje historike të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara që përcakton kufirin e tyre detar për herë të parë, i cili hap mundësinë për të dy vendet për të kryer eksplorime energjetike në det të hapur.
Presidenti i Libanit, Michel Aoun nënshkroi një letër në pallatin presidencial të enjten në mëngjes që do t’u dërgohet zyrtarëve amerikanë në pikën kufitare më jugore të Libanit, Naqoura.
Negociatori i lartë libanez, Elias Bou Saab tha se marrëveshja, e cila i jep fund një mosmarrëveshjeje të gjatë kufitare detare në Detin Mesdhe të pasur me gaz, shënoi fillimin e një “epoke të re”.
Qeveria e Izraelit ratifikoi gjithashtu marrëveshjen të enjten, shkruan në një deklaratë nga zyra e kryeministrit Yair Lapid, raporton aljazeera.
Lapid tha se marrëveshja ishte një “arritje politike” për Tel Avivin pasi “nuk ndodh çdo ditë që një shtet armik e njeh shtetin e Izraelit, në një marrëveshje të shkruar, përpara gjithë komunitetit ndërkombëtar”.
Marrëveshja vjen pas muajsh bisedimesh indirekte të ndërmjetësuara nga Amos Hochstein, i dërguari i SHBA për çështjet e energjisë, dhe marrëveshja u mirëprit nga presidenti amerikan Joe Biden.
Të dy vendet nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe zyrtarisht kanë qenë në luftë që nga krijimi i Izraelit në vitin 1948.
Bejruti ka kërkuar të shmangë inkuadrimin e marrëveshjes si normalizim me Izraelin, duke këmbëngulur që një aneks tjetër i planifikuar të nënshkruhet nga të dyja palët në selinë e UNIFIL në Naqoura më vonë të enjten, të nënshkruhet në dhoma të veçanta.
Aoun kundërshtoi pretendimin izraelit se marrëveshja nënkuptonte se Libani kishte njohur në mënyrë implicite Izraelin. “Demarkacioni i kufirit detar jugor është punë teknike që nuk ka implikime politike”, tha Aoun.
Hassan Nasrallah, lideri i grupit të armatosur libanez të mbështetur nga Irani, Hezbollah, tha se qeveria libaneze kishte qenë e kujdesshme për kryerjen e çdo veprimi “që madje mban erë normalizimi” me Izraelin. Nasrallah gjithashtu njoftoi fundin e mobilizimit të forcave të Hezbollahut pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Hezbollahu kishte kërcënuar me sulme kundër Izraelit nëse ky i fundit do të fillonte në mënyrë të njëanshme prodhimin e gazit përpara se të arrihet një marrëveshje. /Telegrafi/