Telegrafi

Edhe një shqiptar në Serie A

Emanuele Ndoj pritet të jetë shqiptari i radhës që do të luajë në Serinë A sezonin e ardhshëm.

Mesfushori i Brescias në verë do t’i bashkohet Bolognës, të cilës i mjaftojnë vetëm katër pikë në pesë ndeshjet e mbetura për të siguruar matematikisht pjesëmarrjen në elitën e futbollit italian edhe sezonin e ardhshëm.

Marrëveshja mes dy klubeve është arritur qysh verën e shkuar, dhe tani mediat italiane kanë zbuluar hollësi rreth shifrave.

Bëhet fjalë për një milion euro që kuqeblutë do të derdhin në arkat “Dallëndysheve” për mesfushorin e Kombëtares shqiptare U-21.

E ndërsa Brescia del me humbje nga shitja e lojtarit të cilin e mori për 1.2 milionë nga Roma në janar 2016, për Ndojn këto shifra janë domethënëse.

Edhe pse vetëm 20-vjeçar, deri tani janë paguar 2.2 milionë euro për mesfushorin kuqezi i cili do të ketë mundësi të shfaqë vlerat e veta në nivelin më të lartë të futbollit përtej Adriatikut.

Futbollisti i lindur në Catania nuk ka gjetur hapësirat që shpresonte gjatë këtij sezoni në Serinë B.

Ai është lënë në stol në shtatë nga tetë ndeshjet e fundit, duke u aktivizuar vetëm 20 minuta të shtunën e shkuar kundër Ascolit.