Telegrafi

Edhe Facebook me probleme

Një numër i madh përdoruesish të Facebook janë ndarë të zemëruar gjatë disa orëve të fundit të mesditës së sotme (e hënë, 21 tetor), për shkak se nuk u është lejuar të shpërndajnë në faqet e tyre në Facebook.

Duke filluar nga orët e para të pasdites, shumë persona që kanë tentuar të shpërndajnë çfarëdo përmbajtje në statuset e tyre janë përballur me mesazhin: “There was a problem updating your status. Please try again in a few minutes” (Ka problem për të freskuar statusin tuaj. Ju lutem provoni pas disa minutash) dhe “The message could not be posted to this timeline” (Mesazhi nuk mund të postohet në faqen tuaj).

Sipas kësaj, përdoruesit e Facebook nuk mund të freskojnë faqen e tyre me materiale të reja, që mund të shihet edhe nga aktiviteti i pakët i faqeve tuaja të preferuara në rrjetin social.

Si shumë faqe të tjera, një problem të tilla ka hasur edhe Telegrafi.com, duke mos qenë në gjendje të postojë në rrjetin social lajmet dhe ngjarjet më të fundit.

Sipas disa përdoruesve, të cilët janë hedhur në rrjetin tjetër social Twitter, problemet nuk janë vetëm te freskimi i statuseve, por edhe në shumë funksione të tjera të Facebook.

Edhe shpejtësia e funksionimit të faqes është më e ngadalshme se zakonisht, që është një problem më i vogël, por që sërish prek një numër të përdoruesve.

Ende nuk ka ndonjë shpjegim zyrtar nga Facebook për problemet e fundit, por që sigurisht pritet të sqarohen brenda orësh. /Telegrafi/