Drejtuesit e Kompanisë Rajonale për Mbeturina “Eco Regjioni” i kanë bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që ti shlyejnë borxhet që kanë ndaj kësaj kompanie për shërbimet e mbledhjes së mbeturinave. Në të kundërtën, kanë paralajmëruar se do të jenë të detyruar që ti mbledhin ato përmes përmbaruesve.
Kryeshefi ekzekutiv i KRM “Eco Regjioni”, Burim Shala përmes një njoftimi publik ka theksuar se vetëm më kryerjen e obligimeve mundësohet ruajtja e pastërtisë në vendbanime, raporton Telegrafi.
“Për të siguruar një ambient më të pastër dhe të shëndetshëm për të gjithë ne, është e nevojshme që të gjithë të kontribuojmë në mënyrë të drejtë dhe të përpiktë për mbulimin e shpenzimeve të menaxhimit të mbeturinave. Pagesa e borxheve për mbeturinat është e rëndësishme për të ruajtur pastërtinë e qyteteve tona dhe fshatrave përreth”, është shprehur Shala.
Sipas tij, bashkëpunimi në këtë formë i qytetarëve dhe bizneseve është i domosdoshëm për ta ruajtur mjedisin e pastër.
“Ftojmë të gjithë qytetarët dhe bizneset që të bëjnë pagesat e borxheve të mbeturinave sa më shpejt që të jetë e mundur. Në rast se borxhet nuk paguhen, do të jemi të detyruar të angazhojmë shërbime të përmbarimit privat për të mbledhur borxhet e mbetura”, ka bërë të ditur Shala.
Ai ka ftuar qytetarët e bizneset që për informata të mëtejme të drejtohen tek administrata e KRM “Eco Regjioni”. /Telegrafi/