Site icon Telegrafi

Ecjen e filluan të dielën, u përballen me orteqet me gurë – alpinisti mitrovicas rrëfen sfidat gjatë ngjitjes në “Mont Blanc”

Alpinisti nga Mitrovica, Festim Ferati

Alpinisti nga Mitrovica, Festim Ferati, dje ka arritur një sukses të radhës në profesionin e tij.

Edhe pse kishte shumë sfida, ai arriti të ngjitej në majën “Mont Blanc”, e cila gjendet në Francë në lartësi prej 4 mijë e 810 metra, shkruan Telegrafi.

Alpinisti në një prononcim për Telegrafin ka treguar se nga Kosova janë nisur të premten e kaluar dhe se të dielën kanë filluar ecjen.

Ecjen që zgjati pesë ditë, Ferati e bëri së bashku me një grup që gjithsej përbëhej prej 17 personave.

“Kemi qenë 17 persona dhe të gjithë jemi ngjitur në majën ‘Mont Blanc’”, ka thënë Ferati.

Ai ka thënë se ndër sfidat më të mëdha gjatë rrugëtimit kanë qenë përballjet me orteqet me gurë dhe bora, derisa ka shtuar se maja “Mont Blanc” është gati ndër majet më të rrezikshme në Evropë, transmeton Telegrafi.

“Që nga dita kur kemi filluar ecjen, sfidat kanë qenë ballafaqimet me orteqet me gurë dhe bora. Po ashtu, ‘Mont Blanc’ është një ndër majet më të rrezikshme gati në Evropë”, është shprehur alpinisti mitrovicas.

Se kur do të filloi përgatitjet për ngjitjen e radhës, Ferati ka theksuar se ende nuk ka planifikuar asgjë në këtë drejtim.

Ai ka potencuar se me ngjitjen në majën afro 5 mijë metra të lartë në Francë i ka arritur pritshmëritë e tij profesionale.

Alpinisti nga Mitrovica ka potencuar tutje se mbështetja e vetme e këtij grupi prej 17 personave gjatë këtyre ditëve ka qenë “Ibër Lepenc”. /Telegrafi/

Exit mobile version