Site icon Telegrafi

EC Ma Ndryshe përmes lojës përfshin nxënësit në mësimin ndërveprues mbi trashëgiminë kulturore

EC Ma Ndryshe ka njoftuar se ka realizuar aktivitetin për edukimin dhe ndërgjegjësimin e nxënësve rreth trashëgimisë kulturore të qytetit të vjetër përmes lojës “Mos u nxeh, Prizren!”.

Aktiviteti me nxënësit dhe mësimdhënësit, sipas këtij njoftimi, është organizuar në shkollat “Emin Duraku”, “Xhevat Berisha” dhe “Lidhja e Prizrenit”, duke i përfshirë nxënësit në të nxënit në një mënyrë inovative dhe argëtuese, për të nxitur kësisoj interesimin e tyre për vlerat e trashëgimisë kulturore në Prizren.

“Vet loja synon që të dalë nga metodat tradicionale të mësimdhënies, duke e kthyer edukimin mbi trashëgiminë kulturore në një përvojë ndërvepruese dhe të këndshme. Përmes sfidave dhe pyetjeve që përmban loja, fëmijët kanë pasur mundësinë të (ri)zbulojnë elemente të rëndësishme të historisë dhe kulturës së qytetit të tyre, duke u angazhuar në diskutime dhe shkëmbim idesh”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Një qasje e tillë, sipas EC Ma Ndryshe, i mundëson nxënësve që të krijojnë lidhje më të forta me identitetin e tyre kulturor dhe të zhvillojnë ndjenjën e përgjegjësisë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Komunën e Prizrenit.

Aktiviteti në fjalë është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore për zhvillim të qëndrueshëm në Prizren”, që mbështetet nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Prizrenit. /Telegrafi/

Exit mobile version