Parkimi i automjeteve zyrtare në afërsi të minares së Xhamisë së Arastës në qendër të qytetit është bërë shprehi për zyrtarët e Komunës së Prizrenit, thuhet në një reagim të OJQ-së EC Ma Ndryshe.
Kjo organizatë joqeveritare ka bërë të ditur se në një interval kohor prej disa javësh ka vëzhguar këtë hapësirë dhe ka vërejtur se hapësira pranë monumentit të trashëgimisë kulturore përdoret shpesh si parking për automjetet zyrtare, raporton Telegrafi.
“EC Ma Ndryshe përkujton se dispozitat e Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit kufizojnë aktivitetet që pengojnë vizurat dhe qasjen e lirë në monument, gjithnjë me qëllim të mbrojtjes së autencititetit dhe integritetit të kësaj zone të mbrojtur. Për më shumë, minarja e Xhamisë së Arastës është pjesë integrale e “Shtegut historik”, projekt në kuadër të cilit është vendosur kalldrëmi e mobileria urbane që krijojnë lidhjen midis disa monumenteve në Qendrën historike të Prizrenit”, thuhet në reagim.
Për këto arsye, kjo organizatë i ka bërë thirrje autoriteteve komunale të Prizrenit që ta respektojnë integritetin e minares së Xhamisë së Arastës, që është monument i trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme, si dhe të angazhohen për krijimin e vendparkingjeve adekuate në qytetin e Prizrenit. /Telegrafi/