Telegrafi

E turpëroi Unitedin në Old Traford, Mourinho thumbon ish-skuadrën e tij

Tottenham Hotspur ka arritur që ta turpërojë Manchester Unitedin në Old Traford.

Skuadra e drejtuar nga Jose Mourinho triumfoi me rezultat të thellë 1-6, duke bërë një fitore historike.

I lumtur për fitoren e skuadrës së tij u shpreh trajneri portugez Jose Mourinho.

‘Special One’, tha se ishte një fitore historike e ekipit të tij, por që vlen vetëm tri pikë.

“United nuk humb shumë ndeshje dhe t’i shënosh atyre gjashtë gola nuk është diçka që ndodh shpesh. Një fitore historike për ne, por gjithsesi vlen vetëm tri pikë”, deklaroi Mou.

Portugezi ka deklaruar se skuadra e tij ishte superiore edhe pse Djajtë e Kuq kaluan të parët në epërsi.

“Janë pikë shumë të rëndësishme, pasi ishim përgatitur mirë teknikisht, taktikisht dhe psikologjikisht. Edhe pse pësuam gol në minutën e parë me penallti, reaguam shumë mirë”.

Tutje portugezi e thumboi pak ish skuadrën e tij, duke thënë se ishin superior ndaj tyre edhe sa ishin me futbollistë të barabartë në fushë.

“Është e vërtet që United luajti me një lojtar më pak për shumë minuta, por edhe kur ishim 11 me 11 ne ishim superior. Ata nuk e kontrolluan në asnjë moment ndeshjen”, ka deklaruar Mourinho. /Telegrafi/