Telegrafi

E refuzoi Liverpoolin në favor të qëndrimit tek Leverkuseni – tifozët me gjest fantastik për Alonson pas fitores ndaj Hoffenheimit

Ajo çfarë kanë bërë tifozët e Bayer Leverkusenit për Xabi Alonsos pas fitores së radhës në Bundesliga tregon shumë për raportin që ka tekniku spanjoll me ta.

Këtë sezon, Leverkuseni ka impresionuar shumë tifozë të futbollit pas startit brilant të sezonit 2023/2024.

Teksa kanë mbetur vetëm edhe disa muaj para përfundimit të kampanjës, djemtë e Alonsos qëndrojnë të pamposhtur në krye të Bundesligës, me dhjetë pikë më shumë se Bayern Munichu.

Si rezultat i punës së Alonsos, spanjolli ishte lidhur me një kalim tek Liverpooli dhe Bayerni, klube të cilat janë në kërkim të trajnerit të ri në verë.

Këtë javë, Alonso sqaroi të ardhmen e tij me Leverkusenin, duke bërë të ditur për opinionin se do vazhdojë të mbetet pjesë e klubit gjerman.

“Kisha një takim të mirë me Bayer Leverkusenin dhe i informova ata se do të qëndroj dhe do të vazhdojë në klub. Pas shumë bisedimeve për të ardhmen time, e përdora pushimin për të reflektuar dhe të marr vendimin tim. Ky është vendi ku dua të jem”, kishte thënë Alonso.

Sot (e shtunë), Leverkuseni shënoi dy gola në çastet e fundit të ndeshjes ndaj Hoffenheimit për të fituar me rezultat 2-1, dhe duke mbajtur kështu serinë pa humbje.

Pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit, lojtarët e Leverkusenit i kërkuan Alonsos që të shkojë tek tifozët vendas, të cilët i dhuruan spanjollit ovacione të mëdha./Telegrafi/