Site icon Telegrafi

“E përdor fatkeqësinë për promovim” – Vuçiq vizitoi me 11 kamera të lënduarit nga Maqedonia, shkakton reagime të mëdha

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i shoqëruar nga kamerat dhe një numër i madh gazetarësh, vizitoi pacientët nga Maqedonia e Veriut, të cilët, pas zjarrit tragjik në një klub nate në Koçan, u transferuan për trajtim në Beograd.

Tragjedia, në të cilën humbën jetën 59 persona dhe mbi 150 të tjerë u plagosën, përfshirë edhe ata me djegie të rënda, ka tronditur rajonin.

Edhe pse çdo ndihmë është e mirëpritur, veprimi i liderit serb ka shkaktuar kritika të ashpra, pasi ai organizoi një spektakël mediatik në dhomat e spitalit, duke injoruar protokollet mjekësore dhe dinjitetin e pacientëve. Ai gjithashtu publikoi foto në rrjetet sociale nga njësia e kujdesit intensiv, gjë që shumë e cilësuan si shfrytëzim të pahijshëm të tragjedisë për përfitime personale.

Reagimet në rrjetet sociale ishin të ashpra. “Pacientët me djegie të rënda janë jashtëzakonisht të ndjeshëm imunologjikisht. Kjo grumbullim rreth tyre është e papërgjegjshme nga pikëpamja mjekësore!”, shkroi një përdorues i platformës X. Të tjerë theksuan se në vendet e civilizuara vetëm mjekët japin informacione për gjendjen e pacientëve, ndërsa Vuçiq, i rrethuar nga kamerat, mbajti një performancë politike drejtpërdrejt nga spitali.

Mediat dhe ekspertët maqedonas gjithashtu reaguan. Mjeku Nenad Lazarov i bëri thirrje Vuçiqit që të ndalojë “cirkun mediatik” rreth njerëzve të plagosur rëndë.

“Faleminderit për ndihmën, por kjo nuk është mënyra e duhur. Djegiet janë plagë të hapura, një grumbullim i tillë rrezikon rikuperimin e pacientëve”, tha ai.

Ndërsa qytetarët e rajonit ndajnë dhimbjen me të prekurit nga tragjedia, veprimi i presidentit serb ka nxjerrë edhe një herë në pah prirjen e tij për të shfrytëzuar fatkeqësitë e të tjerëve për imazh personal politik, pa marrë parasysh etikën, protokollet mjekësore dhe dinjitetin e atyre që kanë nevojë reale për ndihmë. /Telegrafi/

Exit mobile version