Telegrafi

E mërkura sjell ndeshjet e 1/8 së finales në Kupën e Maqedonisë

Ndeshjet e 1/8 së finales në Kupën e Maqedonisë së Veriut janë në program ditën e nesërme. Duel shqiptar buzë liqenit do të kemi në këtë fazë të Kupës, pasi Voska Sport dhe Struga Trim Lum do të përballen në Ohër për një vend në raundin e radhës të këtij kompeticioni.

Shkëndija e Tetovës do të jetë mysafire e Rabotniçkit në kryeqytet, me ndeshjen që do të luhet në stadiumin “Petar Milloshevski” pranë Federatës së futbollit të Maqedonisë. Para këtij dueli nga tabori i kuqezinjëve ka folur mbrojtësi, Klisman Cake.

“Për momentin e lëmë anash kampionatin dhe jemi fokusuar për ndeshjen e nesërme në Kupë. Rabotniçkin e njohim mjaft mirë pasi jemi përballur me këtë kundërshtarë edhe në kampionat. Patjetër se shkojmë për të kaluar në raundin tjetër, pasi Shkëndija synon çdo trofe të mundshëm në vend”, thotë Klisman Cake.

Ndërkohë, skuadra e Shkupit do të pret Ohrin, përderisa Gostivari do të përballet me Brera Strumicën.

Bashkimi i Kumanovës në 1/8 e finales së Kupës ka detyrë të vështirë, pasi përballet me Sileksin e Kratovës. Në ndeshjet tjera takohen, Bregallnica – Jang Tim, Vardari – Makedonija Gjorçe Petrov dhe Pelisteri – Tikveshi.

Të gjitha ndeshjet e 1/8 së finales luhen nesër, duke nisur nga ora 14:00. Kualifikuesi për në raundin e radhës të Kupës vendoset me një ndeshje, ndërsa në rast barazimi, fituesi përcaktohet përmes penalltive./Telegrafi/