Site icon Telegrafi

E mbylli vitin 2024 me spektakël, Marko Livaja e nisi 2025-në me gol nga 40 metra

Futbollistët e Hajdukut i nisën me fitore përgatitjet për vazhdimin e sezonit.

Me golin e kapitenit Marko Livaja në pjesën e parë, splitanët mposhtën në Spanjë ekipin gjerman VFL Osnabruck me rezultat minimal 1-0. Edhe pse ishte planifikuar që ndeshja të luhej për 120 minuta, u arrit marrëveshje që ajo të zgjaste standardin 90 minuta.

Arsyeja për këtë është se, sipas rregullave të shoqatës lokale, arbitrave spanjollë u ndalohet të gjykojnë ndeshjet që nuk zgjasin dy herë nga 45 minuta secila.

Golin e fitores e shënoi Livaja në minutën e 24-të. Pas marrjes së topit në qendër të fushës, ai lëshoi një goditje nga 40, duke e befasuar portierin e Osnabruck, Lukas Jonsson.

Sulmuesi e mbylli vitin 2024 me një gol spektakolar me gërshërë, ndërsa tani e nis vitin 2025 me një euro-gol tjetër.

Dy ndeshjet e tjera përgatitore të Hajdukut do të luhen më 14 dhe 15 janar në kompleksin Pinatar Arena në qytetin e San Pedro del Pinatar.

Në të parën nga dy ndeshjet do të luajë kundër skuadrës hungareze të kategorisë së parë Ujpest FC, ndërsa në ditën e fundit kundër Elfsborgut suedez. /Telegrafi/

Exit mobile version