Telegrafi

E mahnitshme, ‘Mrekullia Islandë’ nuk ka më fanella

Vetëm pak më shumë se 300.000 banorë, por tashmë Islanda është bërë e njohur në gjithë botën falë kombëtares së vet, që ka mahnitur në Euro 2016.

Për pasojë, po ndodh një fenomen i rrallë: njerëz nga e gjithë bota po blejnë fanellën e kombëtares islandeze.

Unisport, kompania daneze më e madhe e shitjeve online të artikujve sportivë në Skandinavi, njofton se në këtë moment fanella e Islandës është e gjashta më e shitura në uebsitin e vet, pas emrave si Gjermania, Franca e Anglia.

Impresionues është fakti se në krahasim me pak javë më parë shitjet e fanellës islandeze janë rritur me 1800%, një shifër e pabesueshme.

Problemi i vetëm? Unisport deklaron se do të kishte shitur shumë më tepër fanella islandeze, por nuk ka më asnjë në dispozicion, pasi nuk e kishte menduar që gjithë fanellat e prodhuara do të shiteshin në kohë rekord.