Ajo shihet mjaft konkuruese edhe pse në fund nuk ka fituar
Aksidenti tragjik i 31 gushtit 1997 do të shënonte ndarjen nga jeta të një prej pjesëtarëve më të dashur të familjes mbretërore britanike, Lady Dianës. E ashtuquajtura ‘’Princesha e Popullit’’ do të humbte jetën në një moshë fare të re, vetëm 36 vjeç.
E njohur për karakterin rebel, ajo do të merrte shpeshherë vendime të cilat jo në pak raste kanë thyer kodet dhe protokollet e ngurta të etikës mbretërore si për shembull hapja e klinikës së parë për trajtimin e pacientëve me HIV/AIDA në Middlesex Hospital etj etj, duke nervozuar jo shpeshherë mbretëreshën Elizabeta.
Por s’është ky rasti i vetëm ku princesha ka thyer protokollin. Në një video, e cila është publikuar nga mediet britanike, shfaqet Diana duke vrapuar në shkollën Wetherby të djalit të saj Harry në vitin 1991.
Ajo është përfshirë në garë njësoj si të gjithë prindërit e fëmijëve të tjerë që studionin në këtë shkollë. Në Britani, të gjitha shkollat çdo vit organizojnë një garë për prindërit e fëmijëve.
Ndërkohë princeshë Diana pavarësisht statusit që mbante atë kohë shihet duke vrapuar kundër nënave të tjera, vetëm që djali i saj të mos ndihet i diferencuar. Ajo shihet mjaft konkuruese edhe pse në fund nuk ka fituar.
Asokohe mediet publikuan vetëm fotot, duke theksuar faktin se princesha kishte thyer kodin e etikës duke u sjellë si një njeri i zakonshëm.