Marash Kumbulla është bashkuar javë më parë me gjigantin italian Roma.
Mbrojtësi shqiptar ka bërë një sezon jashtëzakonisht të mirë me Hellas Veronën dhe zgjoi interesimin e shumë klubeve evropiane.
Inter, Lazio, Man Utd, Borussia Dortmund, Fiorentina e Napoli ishin skuadrat e interesuara për të.
Por në fund Roma doli në skenë dhe e rrëmbeu mbrojtësin shqiptar i cili tanimë ka debutuar kundër Juventusit.
“Ndeshja kundër Juventusit ishte shumë emocionuese. Jam shumë i lumtur për debutimin. Sigurisht ka edhe pak zhgënjim pasi duhej të merrnim tre pikët”, tha Kumbulla.
Sa i përket transferimit te Roma, ai thotë se gjithçka ndodhi shumë shpejtë.
“Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Ishte e lehtë të zgjidhja Romën. Nuk hezitova për shkak të klubit, qytetit dhe tifozëve. Kur Roma më thirri nuk hezitova. Jam shumë i lumtur për zgjedhjen që kam bërë”, deklaroi Kumbulla.
Reprezentuesi shqiptar është pyetur edhe për interesimin e Lazios.
“Është folur për shumë klube, por kur Roma më thirri thash se kam pranuar vetëm këtë ofertë dhe jam jashtëzakonisht i lumtur që jam këtu”, deklaroi Kumbulla.
Krejt në fund mbrojtësi shqiptar tha se objektivi i klubit mbetet të rikthehen në garën më prestigjioze evropiane Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/