Futbolli zviceran është pushtuar nga futbollistët shqiptarë.
Klubet e futbollit në Zvicër, që nga elita deri në kategori të ulëta gjithmonë kanë pasur futbollistë shqiptarë në radhët e veta.
Falë këtij futbolli sot në Përfaqësuesen A të Zvicrës po marrin pjesë katër futbollistë shqiptarë që bartin barrën kryesore si Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Granit Xhaka dhe Blerim Xhemaili.
Por një gjë e pa parë deri më tani tek një skuadër elitare në Zvicër ka ndodhur ditën e shtunë.
Në një ndeshje miqësore mes skuadrës Rapperswil Jona dhe Zurich, tek këta të fundit janë aktivizuar 10 futbollistë shqiptarë.
Trajneri i Zurichut, Ludovic Magnin i dha rastin të luajnë 22 futbollistëve, ku 10 nga ta ishin shqiptarë.
Ndeshja startoi me pesë shqiptarë në formacion, Enit Sadikun e Mirlind Kryeziun në mbrojtje.
Hekuran Kryeziu debutoi për klubin bardh e kaltër në mesfushë, ndërsa luajtën nga fillimi edhe Izer Aliu dhe Bledian Krasniqi.
Në pjesën e dytë u larguan 11 futbollistë për tu futur 11 të tjerë në fushë.
Edhe kësaj radhe si në pjesën e parë ishin pesë futbollistë tjerë shqiptarë në fushë.
Lindrit Kamberi e Liridon Berisha ishin në mbrojtje, ndërsa Toni Domgjoni në mesfushë e në repartin ofensivë Lavdrim Rexhepi e Lavdim Zumberi.
Zurich humbi këtë sfidë miqësore me rezultat të ngushtë 1-2, ndërsa golin e vetëm për klubin bardh e kaltër e shënoi Lavdim Zumberi në minutën e 53-të.
E për aktivizimin e 10 futbollistëve shqiptarë në këtë takim ka folur edhe reprezentuesi i Kosovës, Hekuran Kryeziu.
Në një prononcim ekskluziv për Telegrafin, Kryeziu thotë se është i lumtur me debutimin te Zurichu.
“Jam shumë i lumtur me debutimin tim te Zurichu. Ishte ndeshje miqësore dhe shkoi gjithçka mirë në ndeshjen e parë për mua”, tha fillimisht Kryeziu.
Tutje mesfushori nga Kosova deklaroi se ka pasur momente kur në fushë kanë folur edhe në gjuhën shqipe.
“Është ndjenjë shumë e mirë të shihesh aq shumë futbollistë shqiptarë në një ndeshje. Nganjëherë në fushë flisnim edhe shqip”.
“Shumica nga lojtarët janë të rinj në moshë dhe trajneri i ka provuar. Shpresojë që të gjithë të kenë kontrata profesionale dhe të japin kontribut për t’i arritur objektivat e klubit”, u shpreh Kryeziu.
Mbetet të shihet pas fillimit të kampionatit zviceran se sa nga këta 10 futbollistë shqiptarë do t’i ndalë trajneri Ludovic Magnin në ekipin e parë, pasi shumica nga ta janë në moshë të re.
Kujtojmë që Zurich do të jetë pjesëmarrëse edhe në Ligën e Evropës pas fitimit të Kupës së Zvicrës do të luaj direkt në grupe.
Shpresojmë që si në këtë takim miqësorë, edhe në kampionat Zurichu të ketë shumë shqiptarë dhe ta përsërisin këtë edicion ku fituan Kupën e Zvicrës.
Tani tifozët shqiptarë kanë një arsyeje më shumë për të bërë tifo për Zurichun në Superligën e Zvicrës. /Telegrafi/
FC Zurich (Pjesa e parë): Brecher; Rüegg, Enit Sadiku, Mirlind Kryeziu, Pa Modou; Hekuran Kryeziu; Haile-Selassie, Izer Aliu, Bledian Krasniqi, Rodriguez; Frey.
FC Zurich (Pjesa e dytë): Baumann; Lindrit Kamberi, Liridon Berisha, Sauter; Toni Domgjoni, Sohm; Winter, Lavdrim Rexhepi, Rohner; Lavdim Zumberi, Odey.