Telegrafi

E DASHURA

Poezi nga: Julio Cortázar
Përktheu: Maksim Rakipaj

E mirëseardhur je,
gur zanafille i haresë,
valle e përhumbur e shtatores
që zogjtë e ndjejnë dhe shpërndajnë.

Kur dhëmbët prej kofshës tënde të skuqur shkëputen
mesditën e parë mbi dhe
të thuash emrin tënd shijen e shegës ka.

Zemra jote harta shumëngjyrëshe sendërton,
ndër sytë e tu rruzujt e së dielës përkunden
dhe kur je tek unë,
nata gjirin e saj hap,
gjak yjesh gjer te flokët e tu ngjitet,
gjer te emri yt, te fuqia jote.

Kjo etje pa fund, të të pish ty, krejt të të thëthish,
thesar hareje, shkapërderdhje klithmash
ku buzët mbyten në dalldi.

Kush shpiku të ardhmen,
makinën e saj të kripës, trëndafilin e saj të xhveshur.
Prej botës lëkurë e qepallave më ndan,
por ti në të je dhe atje brenda jeton.