Site icon Telegrafi

E bukura, e brishta Marina Vjollca

Intervistoi: Silvana Balliu

Mirësi dhe buzëqeshje, dy tiparet që vihen re të parat, por pas tyre një vajzë e zgjuar, një adhuruese e Balzakut. E pasur, por më shumë e tillë në shpirt. E rebeluar me botën që është kaq e pamëshirshme. E etur për të bukurën. Pro bashkëjetesës, pro martesës, por gjithçka në kohën e duhur, Marrëdhënia e veçantë me motrën, e cilësuar si binjakja, Luana. Zbuloni gjithçka tjetër në këtë intervistë të sinqertë dhe plot dashuri…

Cila është familja jote, marrëdhënia me motrat dhe mamanë. Ju jeni katër motra, na zbuloni diçka rreth dy motrave që ne nuk i njohim (pasi Luana tashmë është vetë një personazh publik). A janë dhe dy motrat e tjera po aq të bukura sa ju dhe Luana?
Ato janë me plot gojën yje! Pothuaj në çdo intervistë unë i përmend ato, e më duket se të tjerët e dinë përmendsh përgjigjen time. I adhuroj e i dua pa masë. Jemi shumë të lidhura. Secila ka karakteristika të veçanta, e secila më plotëson. Jam si një ‘puzzle’, i paformuar, kur jam pa to, në momentin që bashkohemi, harmonia mbyt gjithçka. Që në fëmijëri jemi edukuar me idenë e të qenit të barabarta, çfarë kishte njëra të kishte edhe tjetra, kur rrëzohej njëra ta ndihmonte tjetra, veshjet s’kanë qenë të ndara. Një sjellje e tillë, që më vonë dha frytet e veta. Bëjmë shumë për njëra-tjetrën, saqë na duket si një gjë e largët ndarja jonë.
Luana është vetë gjallëria, ajo më ngre shumë humorin në çdo rast, është energjike, hokatare e gjithnjë që të vogla kemi qenë të pandashme – në shkollim, punë, shoqëri.
Marseda – tek ajo gjithmonë marr këshilla të vyera, gjej prehje, si kur jam në vështirësi ashtu edhe kur jam shumë në humor.
Lira – është motra e madhe, ajo jeton jashtë, e jam e sigurt se edhe mund ta acaroj, kur i them të futet në ‘Skype’ për të më dëgjuar rezymenë e ditës, por pa mendimin e saj nuk bëj dot, ajo jep verdiktin final, luan në një farë mënyre rolin e babait në shtëpi.
"Perandoria jonë" është ndërtuar me shumë vështirësi e barriera gjatë rrugës nga heroina jonë, Mamaja jonë, për të cilën e kam të vështirë të gjej fjalë që ta kompletojnë figurën e saj.

Po adoleshenca e Marinës, si ka qenë. Më shumë argëtim apo më shumë studime?
Me shumë bindje mund të them se s’kam kaluar adoleshencë. U futa në televizion në moshën 15-vjeçare, përkoi pikërisht me regjistrimin në vit të parë në gjimnaz. Në punë më duhej të shkoja çdo ditë dhe, sapo mbaroja shkollën, rendja me vrap drejt punës. Qëndroja deri pas-dite në ‘Top’ dhe menjëherë më pas në shtëpi. Një ritual që ndodhte çdo ditë, e duke qenë se prej moshës së vogël nuk isha mësuar me këtë ngarkesë, detyrohesha që çdo pasdite t’u përkushtohesha mësimeve. Mbaj mend që edhe shoqëri nuk kisha pothuajse fare në shkollë, duke qenë se jetesa ime ma impononte diçka të tillë, doja apo jo unë.

Ju keni ndjekur studimet e larta për drejtësi dhe thuhet që jeni studente e shkëlqyer. E vërtetë kjo?!
Këtu do të shkonte më tepër shprehja "a doni më për Belulin?", Kur e bëj diçka që dua, e bëj me shpirt e pasion. Shkolla më përmbush shumë intelektualisht e i dedikohem, edhe përtej forcave, për të marrë frytet që dua. Studioj në universitetin "Justicia", masterin në fushën penale, e shpresoj të bëj një rrugëtim të suksesshëm.

Pas disa vitesh e shikon veten si një avokate, gjyqtare apo prokurore? (E vështirë duket të kesh një rol kaq serioz, pamja jote është krejt e qetë dhe e buzëqeshur)?
I kam të vijëzuara objektivat e mi për të ardhmen. Karakterizohem nga puna e palodhshme dhe vullneti i paepur për të finalizuar synimet e mia. Në fakt është e vërtetë që ne jemi një popull i fjalëve të tepërta dhe jo i veprave, ndaj nuk dua të bie pre e kësaj, koha do ta dëshmojë.

A e kishe menduar ndonjëherë kur ishe fëmijë, që do të ishe bërë e famshme?
Jo. asnjëherë, madje kur kemi qenë të vogla (unë dhe Luana) kemi kënduar në festivalin e fëmijëve këtu në Tiranë e vetëm pse s’më tërhiqte arti hoqa dorë, penalizova Luanën në një farë mënyre, duke qenë se kishte shumë talent. Më vonë rastësisht mami më regjistron në audicionin për ‘shtojzovalle’ që bëhej më 2005 për emisionin "Fiks Fare". Më përzgjodhën e kur shkoj për t’u paraqitur pa dëshirën time, por me këmbënguljen e mamit, më kualifikuan sërish për të kaluar në fazën tjetër. M’u duk sikur mora lajmin më të keq, pasi nuk doja dhe nuk kam shkuar për më tepër se një javë, pavarësisht se provat e kërcimit kishin nisur. Kam shkuar dy ditë para spektaklit, sërish me zor, e atje fitova. Aty diçka me ngacmoi e më nxiti vetëbesimin, plus ambicien për një botë të re që shumëkush e dëshironte.

A ishte e vështirë për ju të ishit moderatore e ‘Procesit Sportiv’? Mes futbollit, (dihet që femrat nuk kanë ndonjë raport të mirë me këtë sport) dhe mes meshkujsh?
Ndjekja e futbollit dhe e informimit me lajmet më të fundit nga sporti është e pashmangshme. Nuk kam qenë aspak e lidhur me sportin, m’u ofrua një detyrë që në syrin e parë e mora me shumë sportivitet e diçka shumë të superueshme, por jo, nuk rezultoi kështu kur futa këmbët në emision. Terma të pashpjegueshme në studio, analizë e mirëfilltë taktike e ndeshjes, raste të padeshifrueshme, njerëz të futbollit më rrethonin, e nëpër mend çdo ditë më vërtitej mendimi se s’do t’ia dal. Çdo punë në fillimet e veta ka vështirësi. Jam natyrë që s’më pëlqen t’i lë gjërat në mes, po mora diçka në dorë do ta finalizoj ashtu siç unë kam synuar. E mobilizova veten, takoja çdo ditë gazetarë sporti, shihja ndeshje, blija 3-4 gazeta sporti, në internet, para çdo faqeje informuese, hapeshin faqet më të famshme të sportit në botë. E në fund rezultati ishte mjaft i kënaqshëm. Tani përfshihem emocionalisht në ndeshje, nuk e shoh thjesht për punë, më argëton pa masë. Shpresoj që të mos më përfshijë aq shumë sa të kaloj edhe tek skedinat se kaq shumë sa zë vend në jetën time është e pamundur për të evituar edhe bastet. A është

Marina e mirëpaguar? Më saktë, a është Marina e pasur?
Për paratë askush s’dëshiron të flasë, sado i pasur që të jesh gjithmonë do të kesh nevojë për para. A mund të flitet për pasuri në këtë vend me standard të ulët jetese, ku njerëzit hakërrehen me njëri-tjetrin për një kafshatë?!

Je pro martesës apo bashkëjetesës?
Pro të dyjave, fillon tek bashkëjetesa e përfundon tek martesa. Hapi më i rëndësishëm në jetë është krijimi i familjes, e para kësaj duhet të jesh e bindur se me kë do ta krijosh "mbretërinë tënde të vogël".

Meqë jemi te familja, kur mendon se do të jesh gati për martesë, fëmijë e gjëra të tilla kaq serioze?
S’di, tani që po flasim më duket ende herët. Kam nevojë që të plotësohem apo formohem më tepër që të jem e guximshme dhe e vendosur për hapin e rëndësishëm që do të hedh, tani po punoj për karrierën e më vonë karriera do të punojë për mua e fëmijët e mi.

E keni mbajtur larg medies jetën private? Si ke mundur ta fshehësh?
Prej cungimit që i bëj mënyrës sime të të jetuarit apo mbase edhe prej angazhimeve të shumta, prej shumë vitesh kanë bërë që të qëndroj larg opinionit publik për sa i takon jetës sime private. Medoemos që është edhe meritë e medieve tona që janë treguar dashamirëse me mua, duke mos më përgjuar. Jetën time private e konsideroj të shenjtë dhe e mbroj, që të mos ma cenojnë.

Kur e shikon veten në televizion, nëpër foto apo kopertina revistash, çfarë ndjesie të vjen. Po miqtë e tu si reagojnë?
Më herët me ndillnin ndjesi, tani thjesht i shoh, kritikoj, madje di të them se e ekzagjeroj me kritika. Asnjëherë s’kënaqem. Rrethohem nga njerëz dashamirës që e ndjekin punën time dhe kënaqem, kur marr komente prej kujtdo për punën time.
Do të thotë se përkushtimi, sakrifica dhe lodhja më shpërblehen e kurorëzohen me sukses.

Markat e preferuara të Marinës?
Kush nuk do të donte që në gardërobën e vet të mos kishte marka?! Më pëlqen shumë shprehja "nuk jam aq i pasur, sa të blej gjëra të lira", por pavarësisht gjithçkaje, ne jemi të vetëdijshme për nivelin tonë të jetesës, për mirëqenien e ulët ekonomike. Pa diskutim, që ka persona në Shqipëri që i përballojnë shpenzimet me marka. Klasi nuk ka nevojë për përmendje – ndihet. Një shije e hollë bën diferencën. Më duken ekzibicionizma përmendjet marramendëse të shpenuara për firmat e huaja. Jam një njeri që vishem thjesht, përfitoj kur janë uljet, nuk do të thotë se nuk është firmë e s’do ta blej, mjafton që më rri mirë, ndihem komode e bëhet imja. Njerëzve në Shqipëri, më mirë ta kufizonim vetëm metropolin, u është bërë kompleks përmendja e markave (shpeshherë iluzionare).

Një vajzë e bukur dhe tepër e përfolur, jo vetëm për pamjen, por edhe inteligjencën dhe shkathtësinë – kujt ia dedikoni: vetes, Zotit apo prindërve?
Unë besoj shumë në Zot dhe jam krijesë e tij. U jam mirënjohëse prindërve të mi, që më sollën në këtë jetë. Babai u nda nga jeta kur ne ishim shumë të vogla dhe nuk do të mundem kurrë që ta falënderoj ashtu siç duhet për njeriun që jam, që na rriti dhe na edukoi me virtyte. Falë insistimit të mamit, shkollimi ka qenë gjithmonë parësor. Ajo ngriti themelet e unë tani kam nisur ndërtimin e një pallati, që shpresoj të jetë i lartë pa mbarim.

A jeni bërë njeriu që keni dashur në jetë apo çdo ditë punoni që të përmirësoheni?
Dua me ëndje të jem njeri i mirë, të bëj mirë e të mbahem mend për mirë. Jetojmë në një botë të egër dhe cinike, në një vend individualist, që herë pas here edhe të transformon pa dëshirën tënde. Përpiqem që të kontribuoj më. të mirën time, e të mos lejoj faktorë të jashtëm apo ambicien e ethshme që të ndikojnë negativisht në qenien time. Besoj se s’ka asgjë në botë që të çarmatosë më shumë e më fort, sesa mirësia, çfarëdo lloj arme shkatërrohet para saj.

Sa të rëndësishëm janë librat për ju dhe sa kohë i dedikoni leximit?
Leximi, përpos faktit se e kam pasion, dhe më ndihmon në shkarkimin e energjive negative, mua më është imponuar edhe prej profesionit që kam. Prezantuesi, armën më të fortë ka fjalën, e burimi i saj vjen prej librave. Kam një bibliotekë mjaft të pasur, një pasuri e vyer që na ka lënë babai ynë.
Çdo ditë lexoj. Fillimisht i vura kusht vetes që të njihja letërsinë në tërësi, duke filluar nga letërsia klasike e deri tek ajo modernia. Tani më duket sikur jam e etur për informacion dhe jam shpërndarë tek disa libra dhe studime njëherësh me tematika të ndryshme. Kjo hallakatje e bukur po më mbush me energji.

Libri i preferuar?
"Shkëlqimi dhe rënia e kurtizaneve", Balzak.

Si i përjetoni vështirësitë dhe pengesat për të arritur diçka dhe si arrini t’i realizoni synimet tuaja në jetë?
Çdo ditë hasemi me pengesa dhe vështirësi. Mënjanohem kur kanë lindur pa shkak dhe nuk më cenojnë. Ndërsa, për synimet e mia unë bëhem njeriu më i egër dhe egoist. Nuk njoh pengesa, pasi besoj se gjithçka realizohet, jo vetvetiu, por vetëm me punë dhe vullnet. E këto të dyja nuk mungojnë aspak në qenien time. Shpeshherë më ngjallin frikë objektivat apo synimet e mia, pasi jetesa ime apo gjithçka që bëj në atë periudhë do të lidhet vetëm me qëllimin final.

Si i përjetoni dështimet dhe çfarë kuptimi kanë ato për ju?
Nuk e njoh fjalën dështim, më duket pesimiste dhe penalizuese. Për mua ekzistojnë vetëm mësimet në jetë.

Çfarë ju bën të lumtur në jetë?
Shëndeti dhe harmonia e familjes sime. Të tjerat pastaj shkojnë dhe vijnë,janë pika lumturie që varen nga ne drejtpërdrejt.

Sa e rëndësishme është të qenit e rrethuar me dashuri për ju?
Krijesa njerëzore që jeton pa dashurinë e të tjerëve është krijesa më fatkeqe në këtë botë. Duhet të falësh dashuri, që të marrësh dashuri. Vetëm dashuria është e aftë të mos e ndajë njerëzimin as nga ideologjia, feja apo raca. Vetëm dashuria mund të na japë energjitë e pashtershme, të nevojshme për të zhdukur dëshpërimin. Nuk mund të gjej dot një përcaktim për dashurinë, për përmbushjen shpirtërore që më jep.

Si reagoni kur dikush ju kritikon apo përpiqet t’ju sfidojë?
Unë jam e para që i bëj kritikat më të mëdha e më të ashpra vetes. Kritikat e sinqerta më pëlqejnë dhe i marr në konsideratë që të përmirësohem. Nuk jam perfeke, jam e hapur dhe një dëgjuese e mirë e një kritike dashamirëse. Sfidat më mobilizojnë. Herë pas here kemi nevojë që të shkundemi nga monotonia që bëjmë apo jetojmë, ndaj unë eci me parimin që ‘sfida dhe konkurrenca rrisin cilësinë dhe bëjnë diferencën’. Tjetër gjë është të dalësh fituesi e tjetër gjë është të fitosh nga ajo eksperiencë.

Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?
Fjalën e fundit e them të parën.

Çfarë urreni më shumë në këtë botë?
Që nuk jemi të gjithë të barabartë. Flas për barazinë si koncept. Po ju them një detaj që do të arsyetonte në një farë mënyre përgjigjen time, p.sh: Për sistemin qeverisës do të isha për komunizmin, por sistemi komunist ideal nuk ekziston dhe nuk ka ekzistuar ndonjëherë.

Cila është motoja juaj?
Mos e justifiko mossuksesin tënd me suksesin apo arritjet e të tjerëve. /Telegrafi/
 

Exit mobile version