Telegrafi

E ardhmja e Kaçes mund të jetë në Portugali

Ergys Kaçe drejt Ligës Premier portugeze.

Mesfushori i Kombëtares shqiptare duket gjithmonë e më larg PAOK-ut të Selanikut, ndërsa në horizont është shfaqur mundësia e huazimit në elitën e futbollit luzitan.

Sipas mediave greke, 24-vjeçari nuk është në planet e trajnerit serb, Aleksandar Stanojevic. Këtë e konfirmoi edhe fakti që Kaçe nuk ishte as në stol në sfidën e turit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës ndaj ukrainasve të Olimpik Donetsk.

Pavarësisht sinjaleve pozitive dhe paraqitjeve të mira të mesfushorit gjatë fazës përgatitore, kuqeziu nuk cilësohet mes zgjedhjeve të para të stafit teknik dhe drejtuesit e klubit po punojnë që ta huazojnë në një tjetër skuadër.

Deri më tani interesim serioz për shërbimet e Ergys Kaçes ka pasur nga ekipi tjetër i Superligës greke, Panionios, por së fundmi në skenë kanë hyrë klube nga Portugalia, të cilat janë mjaft të interesuara për shërbimet e lojtarit, transmeton SS.

Huazimi i mesfushorit shtatshkurtër në Gadishullin Iberik është një zgjedhje që preferohet edhe nga drejtuesit e PAOK-ut, të cilët nuk dëshirojnë të përforcojnë skuadrat rivale në kampionat.

Kaçe u huazua edhe në fillim të sezonit të kaluar, por aventura e tij në Çeki te Viktoria Plzen ishte e pafat dhe përfundoi mes polemikave në harkun e pak muajve.