Telegrafi

Dy vite nga vrasja e Khashoggit – çështja ende e pazgjidhur, trupi ende i zhdukur

Të premten u shënuan dy vite që kur u vra gazetari saudit Jamal Khashoggi, brenda konsullatës saudite në Stamboll.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, kolumnisti 59-vjeçar i Washington Post vdiq më 2 tetor të vitit 2018, pasi hyri në konsullatë për disa dokumente.

Trupi i tij, për të cilin thonë se ishte copëtuar nga oficerët sauditë nuk u gjet kurrë.

Qeveria Saudite me këtë rast e pati quajtur atentatin si një “operacion mashtrues”, dhe në mënyrë të vazhdueshme e mohoi për javë të tëra çdo përfshirje mbi këtë incident.

Ndërkohë, aktivistët dhe grupet e të drejtave të njeriut deklaruan se vrasja ishte e planifikuar dhe sipas tyre ajo ishte kryer me urdhrin e Princit të Kurorës Saudite, Mohammed Bin Salman, sundimtari ‘de facto’ i mbretërisë, një akuzë që Riadi e pati mohuar.

Në muajin shtator, autoritetet saudite dënuan tetë të gjykuar për rastin e vrasjes së gazetarit. Pesë nga të pandehurit u dënuan me 20 vite burg, një me 10 vjet dhe dy me nga shtatë vite burg.

Ata nuk i zbuluan identitetet e tyre, duke forcuar akuzat se gjyqi ishte thjesht një mbulim i procesit. /Telegrafi/