Dy vëllezër pakistanezë, të cilët mbaheshin në burgun ushtarak amerikan në Gjirin e Guantanamos për gati 20 vjet, janë liruar duke mos u akuzuar kurrë deri më tani.
Abdul dhe Mohammed Ahmed Rabbani u arrestuan në Pakistan në vitin 2002, raporton bbc.
Pentagoni tha se Abdul Rabbani drejtonte një shtëpi të sigurt të al-Qaedas, ndërsa vëllai i tij organizonte udhëtime dhe fonde për udhëheqësit e grupit.
Vëllezërit u kapën nga shërbimet e sigurimit të Pakistanit në qytetin e Karachit në shtator të vitit 2002. U deshën pothuajse dy vjet që ata të transferoheshin në Guantanamo pasi fillimisht u mbajtën në një objekt paraburgimi të CIA-s në Afganistan.
Vëllezërit pretenduan se ishin torturuar nga oficerët e CIA-s, përpara se të transferoheshin në Guantanamo. Të dy tani janë riatdhesuar në Pakistan.
Të dy burrat kishin fituar lirinë në vitin 2021. Është e paqartë pse ishin burgosur, raporton nytimes.
Ndryshe, kampi i Guantanamos, në Kubë, u krijua nga presidenti i atëhershëm amerikan, George W Bush në vitin 2002 për të strehuar të dyshuarit për terrorizëm pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në New York.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden shpreson që ta mbyllë objektin shpejt ndërsa aktualisht gjenden 32 të burgosur në të. Në kulmin e tij në vitin 2003, objekti mbante 680 të burgosur në të njëjtën kohë. /Telegrafi/