Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka vizituar dy vajzat të cilat u therën me thikë nga një person i panjohur në Ferizaj.
Bulliqi thotë se vajzat janë nga Podujeva, dhe i përkasin komunitetit ashkali, transmeton Telegrafi.
“Sot në orët e hershme të mëngjesit në Klinikën Intenzive në QKUK e kam vizituar M.B. nga Podujeva, e cila së bashku me motrën e saj L.B para dy ditësh u përballën me një rast të rëndë në Ferizaj. Të dyja këto dhe dy persona tjerë u sulmuan me thikë nga një person tjetër, por nga të gjithë M.B. e kishte gjendjen më të rëndë. Për fat të mirë, gjendja e vajzës që ndodhet në Klinikën Intezive në QKUK ka filluar të stabilizohet. Motrat M.B. dhe L.B. i përkasin komunitetit ashkali dhe janë nga Podujeva”, ka pohuar ai.
Gjithashtu, Bulliqi ka deklaruar se do të ofron ndihmë financiare për familjet e viktimave.
“Për këtë rast sot do të nxjerr një vendim për të ofruar ndihmë financiare për mbulimin e shpenzimeve për familjen. Iu dëshiroj shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve në këtë rast të rëndë!
Uroj që rastet e tilla të mos përsëriten kurrë”, shton tutje ai.
Ndryshe, katër qytetarë u lënduan ditën e hënë nga një person i panjohur, i cili i sulmoi me thikë. Viktimat po trajtohen në Spitalin e Ferizajt dhe QKUK.
Motivet e sulmit nuk dihen, ndërsa i dyshuari tashmë është arrestuar./Telegrafi/