Telegrafi

Dy skuadra për lojë, e treta për dajak!

“Ndeshja ka qenë korrekte dhe nuk ka pasur asnjë vërejtje ndaj fitores së vendasve me rezultat 2:0.

Mirëpo, pas përfundimit të ndeshjes, befas futbollistët tanë u sulmuan nga futbollistët dhe zyrtarët e Rilindjes së Kosovës, të cilët ishin shikues në këtë ndeshje. Ata me vete kishin shufra hekuri, thika, boksa hekuri dhe gjëra të tjera të rrezikshme. Ka ndodhur një rrahje masive në terren, ku lëndime kanë pësuar shumë futbollistë tanë, ndërsa më se keqi kaluan Pajtim Metaj e Ahmet Ajeti, të cilët u dërguan në spital për trajtim”, thekson Mërgim Oruqi, nënkryetar i KF Minatori, i cili në FFK kishte dërguar edhe raportin e mjekut, ndërkohë që pritet edhe raporti i policisë, pasi policia pas rrahjen masive ka marr me vete një zyrtar dhe një futbollist të Rilindjes së Kosovës.

Incidenti mbase lidhet me ngjarjen e para një jave kur në Magurë, Minatori kishte zhvilluar ndeshje me Rilindjen e Kosovës dhe ku një futbollistit i Minatorit kishte pasur duel verbal më futbollistët e skuadrës nga Skivjani. Kjo duket se ka qenë hakmarrje, por është bërë në fushën e Luftëtarit, ndërkohë që drejtuesit e kësaj skuadre kanë bërë shkresë në FFK, duke u distancuar nga ngjarja e ndodhur dhe duke bërë me dije se ata nuk kanë gisht në këtë dhe se iu vjen keq për incidentin. Madje disa shkojnë aq larg sa thonë se skuadra skivjanase tani ka punë me ta.

“Ne po kërkojmë që shkaktarët e incidentit të dënohet në mënyrë që të vazhdojmë kampionatin ashtu siç e kemi nisur. Jemi skuadër e re në Ligën e dytë dhe kemi filluar me shumë vullnet. Në ndeshjet tona si vendas tubohen nga 1500 shikues dhe nuk ka ndodhur asnjë incident, ndonëse kemi edhe raste kur kemi pësuar humbje. Të gjithë janë të mobilizuar, por ky rast na ka ftohur shumë dhe ka ndikuar negativisht si në klub ashtu edhe në fshat”, thotë Oruqi, sipas të cilit jozyrtarisht sulmuesit ende gjenden në burg.

Ai thotë se sulmuesit janë të njohur edhe më parë nga policia për gjëra të tilla, duke pyetur se “pas asaj që na ka ndodhur, unë nuk e di se si mund të shkojmë ne pranverë në Skivjan për ta zhvilluar ndeshjen”? Ai ka marr premtime në FFK-së se ky rast nuk do të heshtet, por do të shkohet deri në fund dhe se do të dënohet shkaktarët e incidentit. Për këtë është njoftuar edhe sekretari i përgjithshëm i FFK-së Eroll Salihu.

Përgjegjësi për ligën e dytë në FFK, Shefqet Thaçi thotë se “ngjarja ka ndodhur dhe këtë e dëshmon edhe raporti i delegatit, i cili përputhet me raportin e skuadrës së Minatorit. Sot do të mblidhet Komisioni i Garave, i cili do ta kompletoj lëndën rreth këtij rasti dhe do ta hap procedurën disiplinore, pastaj nga Komisioni Disiplinor varet se kush sa dënohet”. Thaçi e pranon se e kanë edhe raportin e spitalit, por po e presin edhe raporti policisë. /Zëri/Telegrafi/