Dy shpërthime të veçanta bombash kanë shënjestruar një gazetar dhe një sindikalist në kryeqytetin grek, sipas mediave lokale.
Siç vë në pah Al Jazeera, përcjell Telegrafi, individë të paidentifikuar shpërthyen pajisjet të martën në mëngjes jashtë rezidencave të gazetarit grek Dimitris Kambourakis dhe kreut të sindikatës së policisë së vendit, Vasilis Doumas, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve AMNA.
Pamjet e kamerave të sigurisë të sulmit në shtëpinë e Kambourakis tregojnë një figurë me kapuç dhe të maskuar duke vendosur një pajisje shpërthyese të bërë nga bombola të vogla gazi jashtë ndërtesës së tij të banesës në periferinë e qetë jugore të Argyroupoli rreth orës 2:30 të mëngjesit me kohën lokale.
“Isha në gjumë kur dëgjova një kërcitje dhe një zhurmë. Dola jashtë dhe e gjithë dera ishte në flakë. Një nga bombolat nuk kishte shpërthyer”, tha Kambrouakis për televizionin Skai.
Pothuajse në të njëjtën kohë, një bombë e ngjashme e bërë vetë shpërtheu në rrethin qendror të Athinës, Kypseli, jashtë shtëpisë së Doumas.
Në një deklaratë për uebsajtin e lajmeve Kathimerini.gr, Doumas tha se besonte se sulmuesi ose sulmuesit e kishin shënjestruar atë për “mendimet” e tij.
Shpërthimet e bombave dëmtuan fasadat e ndërtesave në të dyja lagjet ndërkohë që policia ka nisur hetimit për të dyja rastet. /Telegrafi/