Komuna e Prizrenit po synon që të krijojë lehtësira për qarkullimin e mërgimtarëve në qytet gjatë sezonit të pushimeve verore. Për këtë arsye dy parkingje janë vënë në shërbim të tyre. Sipas njoftimit të Komunës ato do të shfrytëzohen falas nga mërgimtarët.
“Drejtoria e Shërbimeve Publike njofton bashkatdhetarët nga diaspora se janë vënë në dispozicion dy parkingje pa pagesë brenda qytetit: në Gjimnazin “Gjon Buzuku” dhe SHFMU “Lidhja e Prizrenit””, thuhet në njoftimin e Komunës.
Krahas kësaj, kjo drejtori ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët që edhe parkingu prapa “Shtëpisë së Bardhë” dhe ai përgjatë rrugës “Nuredin Shala” të vihen në dispozicion të mërgimtarëve, por edhe që lëvizja me automjete të jetë më e kufizuar në mënyrë që të lehtësohet qarkullimi nëpër rrugët e qytetit gjatë ardhjes së mërgimtarëve për pushime.
“DSHP-ja, gjithashtu, kërkon mirëkuptim nga qytetarët e Prizrenit që e shfrytëzojnë më shumë se një ditë parkingun prapa Shtëpisë së Bardhë (rruga “Ankara”) dhe parkingun përgjatë rrugës ‘Nuredin Shala’ t’i tërheqin automjetet vullnetarisht në mënyrë që t’u mundësohet mërgimtarëve që gjatë sezonit të verës t’i shfrytëzojnë parkingjet në këto lokacione deri më 30 gusht 2024”, thuhet në njoftim.
Krijimi i parkingjeve të reja në qytet, ka qenë njëri prej premtimeve elektorale të kryetarit aktual të Prizrenit, Shaqir Totaj.