Site icon Telegrafi

Dy gola pasi i tha ‘po’ Kosovës – dardani i ri Elvis Rexhebeçaj flet për nisjen e sezonit dhe synimet

Elvis Rexhbeçaj e ka nisur sezonin në mënyrën më të mirë, duke e gjetur golin në ndeshjen hapëse të Bundesligas, ku Augsburgu barazoi me Werder Bremen me rezultat 2-2. 

mesfushori Rexhbeçaj realizoi edhe të dielën e kaluar në fitoren 4-1 të Augsburgut në udhëtim te Viktoria Berlini, në raundin e parë të Kupës së Gjermanisë, ndërsa shkëlqeu edhe në këtë fundjavë.  

Mesfushori i ri i Kosovës realizoi gol me gjuajtje shumë të fuqishme nga 28 metra distancë. 

 

26-vjeçari i cili me shumë gjasa do të jetë në listën e Franco Fodas për ndeshjen e parë të Kosovës në Ligën e Kombeve kundër Rumanisë, po tregon formë të lartë pasi i ka thënë “po” Dardanëve. 

Rexhbeçaj pas ndeshjes ka folur për faqen zyrtare të Augsburgut, ku është shfaqur i lumtur me golin e shënuar, por i dëshpëruar që ekipi i tij nuk mori pikët e plota.  

“Jam padyshim shumë i kënaqur që gjuajtja ime përfundoi me gol të shënuar dhe Samueli më pas realizoi tjetër gol. Nuk jemi të kënaqur pasi nuk morëm pikët e plota. Ishim më sulmues se kundërshtari dhe ishin dy situata të diskutueshme të cilat nuk u dhanë në favorin tonë”.  

“Të dyja klubet donin të luanin lojë sulmuese, e cila nuk ishte e lehtë, veçanërisht për shkak të temperaturave. Natyrisht ne kishim dëshirë që të kalonim të parët në epërsi, por po ashtu ishte e rëndësishme që të ishim në gjendje ta kthenim lojën në të mirën tonë”, deklaroi Rexhbeçaj. 

Ndeshjen e radhës në Bundesligë, Augsburgu e zhvillon në udhëtim te Heidenheimi më 1 shtator.  

Pas atij ballafaqimi, Rexhbeçaj pritet t’i bashkohet Kosovës që luan më 6 shtator kundër Rumanisë në Prishtinë.  

“Tani duhet të punojmë për ndeshjen e ardhshme dhe ta mbajmë intensitetin e lartë në mënyrë që të sulmojmë sërish në javën tjetër dhe të mos bëjmë gabime”, përfundoi ai Rexhbeçaj.  

Mesfushori qendror është pjesë e Augsburgut prej korrikut të vitit 2022 kur u transferua nga Wolfsburgu. Ai ka bërë karrierë edhe te Bochumi e Kolni.  

Rexhebeçaj ka zhvilluar 160 paraqitje në Bundesligë, ndërsa ka 10 gola të shënuar e tetë asistime në total. /Telegrafi/  

Exit mobile version