Site icon Telegrafi

Dy gola dhe dy kartona të kuq, Roma triumfon në derbi ndaj Napolit

Roma ka fituar me rezultat të pastër 2-0 ndaj Napolit në kuadër të javës së 17-të në Serie A, në atë që njihet ndryshe edhe si “Derby del Sole”.

Vendasit patën një dominim të lehtë në pjesën e parë duke rrezikuar portën e Alex Meret në disa raste.

Roma goditi shtyllën përmes Eduardo Boves (19’) në atë që ishte rasti i parë serioz për gol në këtë takim.

Po i njëjti lojtar, pati edhe një rast tjetër të mirë shënimi vetëm dy minuta më vonë, por goditjen e tij e ndali me këmbë portieri mysafir.

Napoli mbeti me një lojtar më pak në fushë, kur Matteo Politano (66’) mori karton të kuq pas një ndërhyrje të rrezikshme në lojtarin kundërshtar.

Avantazhin numerik në fushë e shfrytëzoi në maksimum ekipi i Romës, të cilët saktësisht vetëm dhjetë minuta më vonë gjetën golin e fitores.

Ishte Lorenzo Pellegrini (76’) i cili me një vollej goditje arriti të shënoi një gol të bukur për 1-0 për t’i dhënë kështu tri pikë të rëndëisshme Romës.

Në minutën e 86-të të sfidës, Napoli mori një goditje tjetër kur Victor Osimhen u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, për të lënë ekipin në fushë me vetëm nëntë lojtarë në fushë.

Në sekondat e fundit të ndeshjes, Romelu Lukaku (96′) shënoi për 2-0 pas një kundërsulmi të shpejtë të Romës.

Pas kësaj fitore, Roma shkon në kuotën e 28 pikëve dhe pozicionohet në pozitën e gjashtë në tabelë, e ndjekur pas nga Napoli që gjendet një pozitë më poshtë me një pikë më pak./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

 

Exit mobile version