Telegrafi

Dy dënime ia pamundësojnë Hamiltonit rekordin, Bottas fiton në Rusi

(Foto: Twitter/Mercedes-AMG F1)

Është shtyrë përpjekja e Lewis Hamiltonit për më së shumti fitore në Formula 1, për shkak të dënimeve në garën për Çmimin e Madh të Rusisë.

Kolegu i skuadrës te Mercedesi, Valtteri Bottas, e fitoi këtë garë, pasi që kampionit i iu dha dënim prej 10 sekondash për shkak të dy fillimeve ilegale.

Fitorja e Bottas do të thotë se e ka ngushtuar në 44 pikë diferencën me liderin, i cili është pranë suspendimit për një garë për shkak të dënimeve të akumuluara.

(Foto: Twitter/Formula 1)

Pas fituesit të garës në Rusi, i dyti u rendit Max Verstappen i Red Bullit, ndërsa me gjithë dënimet, Hamilton ia doli që të ngjitej në podium.

Britaniku është një fitore larg që ta barazojë rekordin e Michael Schumacherit për më së shumti fitore në histori të Formula 1 dhe për këtë tash duhet ta presë garën e radhës. /Telegrafi/