Trajneri i Struga Trim Lum, Shpëtim Duro ka folur në konferencën për shtyp para takimit të nesërm ndaj Breidablik, të vlefshme për fazën e play off-it në Ligën e Konferencës.
Tekniku nga Tirana, thotë se ekipi islandez është në epërsi, por ekipi i tij do të jep maksimumin.
“Rezultati i ndeshjes së parë është në favor të kundërshtarit, pasi kemi humbur atë ndeshje në Ohër, por them që është një rezultat minimal, dhe kam besim që skuadra do të japi maksimumin në këtë ndeshje për të luajtur, kjo pasi rezultati minimal i ka të gjitha mundësitë brenda. I referohemi edhe ndeshjes së parë, që sigurisht se kemi luajtur më mirë se kundërshtari, ishte një humbje që të paktën nuk e meritonim, por sigurisht mendojmë që në këtë ndeshje të japim maksimumin. I’u kam thënë edhe futbollistëve që është një ndeshje 90 minuta që duhet luajtur me të gjitha mundësitë dhe pastaj të shohim përfundimin e ndeshjes”, ka thënë Duro.
Struga do ti ketë dy mungesa në ndeshjen ndaj Breidablik, pasi Radeski dhe Zguro nuk do të bjerë në dispozicionin e teknikut, Duro.
“Patjetër që janë dy mungesa të rëndësishme në formacion, aq më shumë Radeski, që ka munguar edhe në ndeshjen e parë të zhvilluar në Ohër. Është një mungesë shumë e rëndësishme, duke pasur parasysh formën aktuale që gëzonte dhe ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm në aspektin ofenziv. Gjithashtu edhe Zguro ka qenë një lojtar që ka luajtur stabël, dhe ka kontribuar për arritjet e kësaj skuadre deri në këto momente, por do mundohemi të marrim masat e duhura, për ti zëvendësuar në këtë ndeshje”, shprehet Duro.
Ndeshja Breidablik – Struga Trim Lum zhvillohet nesër pasdite, duke nisur nga ora 18:45. /Telegrafi/