Një gabim i gjyqtarit e nxori Brazilin jashtë Copa Americas, ndërsa në fazën çerekfinale arriti të avanconte Peru.
I trishtuar për këtë fakt u shfaq trajneri Carlos Dunga në konferencën për shtyp dhe i akuzoi në mënyrë të drejtpërdrejtë gjyqtarët e sfidës dhe më konkretisht kryesorin, uruguaian Andres Cunha.
“Me të gjithë teknologjinë që ekziston sot me kaq shumë kamera kam dyshimet e mia se përse ndodhin këto gabime kaq të mëdha”, është shprehur ai, transmeton Supersport.
GJITHASHTU LEXONI: Brazili eliminohet nga Copa America në mënyrë kontroverse (Foto/Video)
Goli që i dha fitoren Perusë dhe sanksionoi njëkohësisht eliminimin e Brazilit, u shënua dukshëm me dorë nga Raul Ruidiaz.
Dunga shfaqi indinjatën e tij edhe për faktin se gjyqtarët u konsultuan rreth pesë minuta në radio me njëri-tjetrin dhe në fund vendosën ta pranonin golin.
Nuk arrij ta kuptoj. Gjyqtarët u konsultuan për një kohë të gjatë dhe madje ishin duke folur me një tjetër person në radio, por nuk e di se me cilin. Ata kanë për detyrë të komunikojnë vetëm njëri-tjetrin. Janë katër arbitra dhe mund të vendosin mes tyre, nuk e kuptoj aspak se çfarë ndodhi në këtë rast dhe me kë po bisedonin në radio”, ka shtuar Dunga.