Telegrafi

Duncan Ferguson dhe festimet e tij të ‘çmendura’, trajneri skocez së fundmi festoi me fëmijët që presin topat jashtë fushës

Duncan Ferguson është duke drejtuar Evertonin pas shkarkimit të portugezit Silva.

Tekniku skocez ka luajtur për vite të tëra te Evertoni dhe është një legjendë e klubit.

Ferugson ka udhëhequr Evertonin në tri takime dhe sa herë që skuadra e tij ka shënuar gola festimet e tij kanë qenë të ‘çmendura’, por edhe unike.

E teksa Leighton Baines shënoi golin e barazimit 2-2 ndaj Leicesterit në minutën e 91-të, kamerat fokusuan edhe gëzimin e trajnerit Ferguson.

Skocezi u gëzua jashtë mase, teksa gëzimin e tij e ndau me fëmijët që presin topat jashtë vijave të fushës.

Ky gëzim i trajnerit skocez ka bërë xhiron e botës në rrjetet sociale dhe natyrisht Ferguson është lavdëruar për festimet e tij unike.

47-vjeçari ishte bërë temë edhe pas fitores së skuadrës së tij 3-1 ndaj Chelseat, pikërisht për festimet e tij.

Ferguson me Evertonin si futbollist ka luajtur 10 sezone, fillimisht nga viti 1994 deri më 98 dhe nga viti 2000 deri më 2006. /Telegrafi/