Telegrafi

Dukuria e harxhimeve dhe programimi i trurit

Problemet financiare janë kriza financiare që burimin e kanë te harxhimet joreale. Këto probleme janë burim i mosmarrëveshjeve brenda familjes

Abdirahim Idrizi
Poliklinika “Galaxy”
abdirahimidrizi@gmail.com

Dëshira për pasuri është e pafundme. Ekzistojnë dy lloje të ndërhyrjes financiare në jetën tuaj:

– t’i zvogëloni kërkesat
– t’i rrisni të ardhurat, të fitoni më shumë.

Unë do të mundohem të jap zgjidhje se çfarë të bëni me paratë që i fitoni:

Barriera e parë që duhet ta tejkaloni është mentaliteti, tradita, dukuria e jonë, për të blerë. Do të thotë, nëse keni vendosur të blini diçka, para se të blini duhet t’i bëni pyetje vetvetes:

– a mund të jetoj pa e blerë këtë,
– a e kam patjetër ta blej,
– a mund ta zëvendësoj me diçka tjetër,
– a është e mundur që diku tjetër ta blej më lirë?

Një mendim i tillë ju ndihmon të mos harxhoni para pa nevojë, t’i shmangeni blerjes së artikujve që nuk ju nevojiten.

Në praktikë çfarëdo prodhimi që doni të blini, ka mundësi të kërkoni dhe të gjeni çmime me shumicë nëpër depo. Mos hezitoni, shkoni e blini në ato vende ku të njëjtin artikull mund ta merrni me çmime shumë më të lira.

Duhet të kërkoni për veten tuaj, mandej bëni pyetje vetes tuaj se a ia vlente të kurseni të ardhurat tuaja për buxhetin tuaj. Duhet ta programoni trurin tuaj, duhet ta pyetni veten: kjo blerje, ky investim a është i arsyeshëm apo jo?

Problemet financiare janë kriza financiare që burimin e kanë te harxhimet joreale. Këto probleme janë burim i mosmarrëveshjeve brenda familjes. Ato shkaktojnë konflikte në mes të bashkëshortëve, në mes të vëllezërve… Kryefamiljari kërkon llogari, bashkëshortja kërkon llogari…, dhe kështu vjen deri te çrregullimet e shëndetit në momentin që duam të arsyetojmë diçka që nuk arsyetohet, ngase nuk kemi evidencë për harxhimet, nuk i kemi shkruar, i kemi harruar.

Mërzia, brengat, streset, janë të lidhura ngushtë me skamjen e krizën financiare. Ato e shkatërrojnë shëndetin tuaj, ua shkatërrojnë edhe jetën tuaj, ua shkatërrojnë familjen tuaj.

Vendos vetë se çfarë do të bëhesh:

– Shpenzues, i varfër, apo…?
– I pasur dhe i nderuar në familje, në shoqëri.

I varfëri harxhon më shumë sesa fiton, harxhon më shumë sesa i ka të ardhurat, do të thotë se merr kredi, futet në borxhe, shfrytëzon familjarët, miqtë e kështu me radhë. I pasuri harxhon më pak sesa fiton, tepricën e fitimit e investon.

Këtu bëhet dallimi, në mes të shpenzuesit dhe kursimtarit. I pasuri bëhet edhe më i pasur dhe mund t’i ofrojë vetes çfarë kërkon nga jeta, ndërkaq i varfëri nuk gëzon mbrojtje sociale, nuk gëzon mbrojtje shëndetësore, nuk ka një vend të qëndrueshëm pune, për atë edhe është i varfër.

Nëse analizoni, mendoni mirë ku dhe kur të investoni, ose për të blerë diçka, duhet të mendoheni se sa mund të jetë dëmi i juaj për të nesërmen.

Nuk është vetëm investimi i gabuar, por gabimi dhe dëmi bëhet edhe më i madh sepse paraja duhet të shumëzohet, e jo të shpenzohet. Duhet që ato para t’i investoni sepse paraja prodhon para. /Telegrafi/