Presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Duka ka folur në Kuvendin e Kosovës për vdekjen e mikut të tij Fadil Vokrri.
Numri një i FSHF-së, ka thënë se nuk dëshironte kurrë që nga foltorja e Kuvendit të fliste për vdekjen e Vokrrit.
“Nuk do doja kurrë që nga kjo foltore të flisja për vdekjen e Fadilit”
“Do të doja që sot të flisja për të gjitha dekoratat që Vokrri do t’i merrte nga shteti i Kosovës pasi i meritonte ato”, tha Duka.
Duka e vlerësoi Vokrrin si futbollistin më të madh shqiptar të të gjitha kohërave.
“Fadili padyshim që është futbollisti më i madh shqiptar i të gjitha kohërave. Ai ka qenë një futbollist i madh evropian”.
“Ka luajtur në Kosovë, në ish-jugosllavi, ka luajtur në Evropë në nivele të larta”.
“E kisha ëndërr në atë kohë t’ia jepja dorën një legjende si ai. E njoha si president i FFK-së dhe u bëmë miq të ngushtë”.
“Fadili ishte i vërtetë dhe e thoshte gjithmonë të vërtetën. Nuk janë vetëm fjalë rasti por janë fjalë zemre”.
“Vokrri e ka merituar udhëheqësin nuk mund t’ia japim ne. E ka merituar si familjar, e ka merituar si sportist dhe si një njeri i madh”.
“Me keqardhje i them sot lamtumirë, u prehsh në paqe miku im”, deklaroi Duka. /Telegrafi/